U dorëzoi çelësat e shtëpive të reja, Rama porosi banorëve të Thumanës: Kujdes me bravat

schedule16:44 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 16:44 - 24 Dhjetor, 2021

Nga Thumana ku banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit po u dorëzohen çelësat e shtëpive të reja, kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar që të bëjë ironi me situatën aktuale në Partinë Demokratike.

Ndërsa u thoshte banorëve se tashmë do të kenë në pronësi të tyre shtëpi të reja, më të sigurta dhe më komode, Rama u tha me shaka që të kenë kujdes bravat. Kreu i qeverisë vijoi duke shtuar se edhe nëse ndërrohen pushtetet, maksimumi do të ndryshojë ngjyrën e bravës, por “gjë tjetër me banesat e tyre të reja nuk bëjnë dot.”

“Sot merrni çelësin, titullin e pronës dhe do t’i gëzoni shtëpitë pa paguar asnjë qindarkë. Vetëm bëni kujdes për bravat se nuk i dihet. Në rastin më të keq, edhe sikur gjërat të ndryshojnë në vitet e ardhshme, do të ndryshojnë ngjyrën e bravës, gjë tjetër nuk u bëjnë dot…”

Rama u drejtua edhe atyre qytetarëve të prekur nga tërmeti që janë ende me qira kryesisht në kryeqytet dhe në Durrës. Sipas tij, ata duhet të bëjnë edhe pak durim pasi bëhet fjalë për lagje shumë më të mëdha që kërkojnë kohën e tyre.

“…Duhet të bëjnë edhe pak durim se nëse shohin sot Thumanën me zili nuk duhet të harrojnë se për ta po ndërtohet një lagje shumë më e madhe. Sot jemi në Thumanë,  ishte një bllok ishte më i vogël, më pas bëhet Kombinati dhe 5 maji, janë blloqe më të mëdha..”

Për ata që thonë që u vonuam, shton Rama, duhet të marrin si shembull Italinë ku sipas tij ka njerëz ende pa shtëpi edhe 15 vite pas tërmeteve. Kryeministri premtoi se vitin e ardhshëm “do të mbyllen të gjitha plagët e tërmetit.” sb/abcnews.al/