U dolën emrat nga Nuredin Dumani, GJKKO shpall fajtorë dhe dënon Agron Qafën dhe Florenc Çekrezin

schedule16:13 - 19 Korrik, 2024

schedule 16:13 - 19 Korrik, 2024

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 8 vite burg Agron Qafën dhe me 3 vite e 4 muaj burg Florenc Çekrezin të arrestuar si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”.

Emrat e tyre dolën nga dëshmia e Nuredin Dumanit si persona të përfshirë në vjedhje me dhunë, grup i strukturuar kriminal dhe shpërthim me eksploziv.

Agron Qafa, u gjet fajtor për  “Vjedhje me dhunë”, për një ngjarje të ndodhur në shkurt të vitit 2013-të në qytetin e Durrësit ndërsa u dënua me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u dënua përfundimisht me 8 vite. Ndërsa Florenc Çekrezi akuzohet për shpërthimin me tritol në banesën e Talo Çelës në nëntor të 2020-tës në Elbasan dhe një tjetër personi në qytetin e Durrësit.

Ai u dënua me 5 vite heqje lire, por edhe për Çekrezin u aplikua gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 3 vite e 4 muaj burg.

Pjesë e së njëjtës dosje janë edhe 18 persona të tjerë, por procesi po vijon me gjykim të zakonshëm në gjykatën e posaçme. Emrat e tyre dolën nga dëshmia e  Nuredin Dumanit që bashkëpunoi me drejtësinë për të treguar ngjarjet e rënda kriminale.

Krimet që tregoi Dumani nisin prej vitit 2013-të përfshin vrasjen me pagesë të Fatmira Habilit në qytetin e Durrësit, e që pasohen me vrasjen e Emiljano Ramazanit në vitin 2020 në Elbasan, vrasjen e Bujar Çelës, po në Elbasan, vrasjet e Filip Gjeloshit, Elvis Dedajt, Besmir e Viktor Haxhias si dhe Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdias në Durrës.

Po ashtu në akuzë janë edhe për një sërë atentatesh, përfshi ato ndaj Indrit Dokles, Talo Çelës, Sokol Sanxhaktarit dhe Elton Kilës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!