U dëmtua nga tërmeti, Manastirliu në Qendrën Terapeutike për Fëmijë: Brenda vitit funksionale

schedule12:44 - 31 Korrik, 2021

schedule 12:44 - 31 Korrik, 2021

Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet për rindërtimin e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë, e dëmtuar nga tërmeti 26 nëntorit 2019.

“Brenda vitit përfundojmë rehabilitimin e kësaj qendre dhe e vendosim në funksion, pasi edhe pajisjet janë planifikuar në buxhetin e këtij viti. Do ta kthejmë në një hapësirë të dedikuar për shërbimet me shtretër, por edhe shërbimet ambulatore për fëmijët 0-18 vjeç me  aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se kjo qendër është unike në llojin e vet në Shqipëri, Manastirliu u shpreh se në fokus do të jetë kombinimi i shërbimeve për fëmijët me aftësi ndryshe.

“Fokusi ynë është kombinimi i shërbimeve. Pra ndihma që jepet duke u fokusuar tek ndihma financiare për lehtësimin e familjeve dhe fëmijëve me aftësi ndryshe. Por nga ana tjetër edhe alternimi me shërbime sociale dhe shërbime shërbime shëndetësore. Ndaj edhe kjo qendër i shërben rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, duke ofruar pikërisht këto shërbime të integruara socio-shëndetësore”, tha Manastirliu.

Drejtoresha e Qendrës, dr. Florida Dobi, tha se me rikonstruksionin që po kryhet, ambientet do të jenë më të përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Qëllimi i qendrës dhe qëllimi dhe përshtatja e punimeve është për ta bërë sa më funksionale, përveçse jo vetëm për të shtrirë dhe për të zgjeruar numrin e fëmijëve që do të kenë akses dhe prindërve që do të kenë akses në këto shërbime, por është dhe për ta bërë multidimensionale për trajtimin terapeutik të fëmijëve. Duke shtrirë sa më shumë aktivitete edukative dhe rehabilituese, krahas atyre diagnostike”, tha Dobi.

Kjo qendër ofron shërbim me shtretër dhe ambulator për fëmijët e moshës 0-18 vjeç, në nivel kombëtar.  /abcnews.al/