TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes një reagimi ne rrjetet sociale nga qelia thotë se deri më tani ka zgjedhur te mos komentoje procese që janë në hetim nga drejtësia dhe është përpjekur te respektoje linjën politike, por Veliaj thotë se pas këtij arrestimi nuk mund të heshtë më.
“Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia.”
Veliaj distancohet nga akuzat që janë ngritur ndaj tij, duke thënë se nuk ka “asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.” Nga ana tjetër, Veliaj ka edhe një koment për prokurorin tjetër të dosjes, të cilin e akuzon se ka shantazhuar dëshmitarët, ndërsa pa e përmendur me emër e quan si ‘prokuror lunatik’ e ‘epsharak’.
“Nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani. Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik. Nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar.”
Veliaj thotë se e futën në burg pa gjyq vetëm 3 muaj para zgjedhjeve, ndërsa shkruan se i vjen keq për kryetarin e PS, Edi Rama që nuk do ta ketë në krah gjatë fushatës për 11 majin. E në fund thekson se ai dhe familja e tij nuk ka asnjë lidhje me korrupsionin.
“Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve. U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion.”, tha Veliaj.
Ndërkohe bashkëshortja e Veliajt u kthye ne Tirane për të zbatuar masën e sigurisë arrest shtëpie të caktuar ndaj saj me vendim të GJKKO. Ajola Xoxa ishte në Itali për kurim dhe pasi është njoftuar për masën e sigurisë të vendosur ndaj saj u kthye në Tiranë me një fluturim nga Roma mbrëmjen e te hënës. ABC News siguroi momentin kur bashkëshortja e Veliajt u shoqërua ne aeroportin e Rinasit nga agjentët e BKH, të cilët do të ekzekutojnë edhe masën arrest shtëpie të vendosur ndaj saj./abcnews.al