Një ngjarje si në filma ka ndodhur këtë të martë në kryeqytet. Mësohet se një person është aksidentuar me një makinë të vjedhur, më pas ka shkuar për ndihmën e parë në spital dhe për t’u larguar nga atje ka vjedhur një tjetër makinë.
Njoftimi i Policisë:
Vodhi dy automjete ditën e sotme, falë veprimeve të shpejta policore, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Ditën e sotme, rreth orës 13:30, është marrë njoftim se te ish-Uzina e Autotraktorëve ka ndodhur një aksident. Shërbimet e Policisë si dhe të urgjencës, me marrjen e njoftimit, kanë kaluar menjëherë në vendngjarje dhe kanë dërguar në spital për ndihmë mjekësore një të dëmtuar nga aksidenti, shtetasin 32-vjeçar, dyshohet me probleme të shëndetit mendor.
Pas verifikimit të automjetit tip “Volkswagen”, të përfshirë në aksident, ka rezultuar se ky automjet, ishte vjedhur disa minuta më parë, në Fushë-Farkë.
Shtetasi pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, pas disa minutash është larguar nga spitali. Në momentin që është larguar, në parkingun e spitalit, ka vjedhur një automjet tjetër tip “Ford”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, janë vënë në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për tu larguar, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me disa automjete të tjera.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit 32-vjeç, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.