Turqi, përshkallëzohet agresioni ndaj “gylenistëve”

schedule12:57 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 12:57 - 14 Dhjetor, 2018

Regjimi i presidentit Erdogan në Turqi ka përshkallëzuar aksionin kundër atyre që i konsideron mbështetës të klerikut Fetullah Gylen. Që prej orës 1 të mëngjesit të sotëm, autoritetet kanë nisur një aksion për arrestimin e 267 personave.

Prokurorët në Turqi kanë urdhëruar burgosjen e 267 personave, shumica e të cilëve oficerë ushtarakë dhe zyrtarë të sektorit të mbrojtjes, për lidhje me klerikun mysliman Fetullah Gylen, i akuzuar si arkitekti i grushtit të shtetit të vitit 2016. Urdhri i drejtësisë përbën sidoqoftë një përshkallëzim të asaj që është konsideruar një agresion ndaj mbështetësve të predikuesit Gylen që prej trazirave të korrikut të dy viteve më parë, kur 250 persona mbetën të vrarë. Gylen, ish-aleat i Recep Taip Erdogan, ka mohuar çdo përfshirje në manifestimet që synonin rrëzimin e presidentit. Që prej atëherë, mbi 77 mijë persona janë arrestuar, burgosur dhe janë ende në pritje të gjyqit, ndërkohë që arrestimet vazhdojnë dhe konsiderohen tashmë rutinë. Gjithashtu, autoritetet turke kanë shkarkuar nga detyra rreth 150 mijë punonjës shtetërorë, kryesisht nga radhët e personelit ushtarak. Presidenti Erdogan deklaroi të enjten se Turqia do të nisë një operacion jashtë vendit për të goditur financat e mbështetësve të Gylen. Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”, në lëvizjen e fundit kryeprokurori i Stambollit kërkoi arrestimin e 219 ushtarëve aktivë, përfshirë 4 kolonelë, 5 nënkolonelë dhe 10 majorë; ndërkohë thuajse gjysma e të tjerëve janë rreshterë. Operacioni i drejtësisë turke u bazua në përgjime telefonike të anëtarëve të rrjetit të Gylen, saktësojnë burimet mediatike. Sipas gazetës “Hurriyet”, operacioni për arrestimin e të dyshuarve nisi në 1 të mëngjesit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!