Turqi, gjykata refuzon lirimin e pastorit amerikan

schedule10:08 - 19 Korrik, 2018

schedule 10:08 - 19 Korrik, 2018

Gjykata e Izmirit në Turqi ka refuzuar lirimin e pastorit amerikan, që po gjykohet për përfshirje në grushtin e shtetit kundër presidentit Erdogan. Lëvizja pritet të acarojë më tej marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit, që me ngulm ka kërkuar lirimin e pastorit.

Një gjykatë turke vendosi të mërkurën të mbajë në burg një pastor amerikan, duke venitur kështu shpresat se ai mund të lirohej në seancën e radhës, ku po gjykohet për terrorizëm dhe spiunazh.

Andrew Brunson, një pastor i krishter nga Karolina e Veriut që jeton në Turqi prej dy dekadash u padit për lidhje me grupin që organizoi grushtin e shtetit të vitit 2016 kundër presidentit Erdogan, si dhe për mbështetje të militantëve kurdë. Brunson, i cili i mohon akuzat, rrezikon deri në 35 vjet burg nëse shpallet fajtor.

“E kam të vështirë të qëndroj në burg, i ndarë nga bashkëshortja dhe fëmijët e mi”, tha ai në gjykatë.

Duke folur turqisht, ai u shpreh se ndaj tij nuk ka asnjë provë konkrete dhe shtoi se po vuan në emër të Jezu Krishtit. Rasti i pastorit ka acaruar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, aleate në NATO. Presidenti Donald Trump ka bërë disa herë thirrje për lirimin e tij dhe muajin e kaluar Senati amerikan miratoi një draft të posaçëm, që mes të tjerash parashikonte ndërprerjen e shitjeve të armatimeve të sofistikuara tek Turqia për shkak të burgimit të Brunson.

Ndërkohë, i dërguari i Shteteve të Bashkuara në Turqi u shpreh i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Izmirit, ku pastori ka jetuar gjatë dy dekadave të fundit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!