Turizmi po shënon shifra rekord. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave vetëm në 6 muajt e parë të vitit në vend kanë hyrë rreth 3.4 milionë shtetas të huaj, duke u rritur me 33% më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të vitit që lamë pas.
Ndërkohë vetëm në qershor kanë hyrë në vend më shumë se 1 milionë vizitorë të huaj. Me këto statistika, sektori i turizmit po përjeton vitin më të mirë historik jo vetëm në më shumë turistë në numër, por edhe në të ardhura të gjeneruara prej tyre. Në tremujorin e parë të vitit të ardhurat nga turizmi sipas Bankës së Shqipërisë arritën në 624 milionë euro.
Peshën më të madhe vijon ta mbajë turizmi shqipfolës, pasi hyrjet e vizitorëve nga Kosova arritën në mbi 1.3 milionë në pjesën e parë të vitit, rreth 330 mijë më shumë se 6-mujori i parë i vitit 2022. Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe turistët nga Amerika, Europa perëndimore si dhe Azia Lindore e Paqësori.
Por, të shumtë kanë qenë edhe shqiptarët që kanë dalë jashtë vendit pasi statistikat tregojnë se 3 milionë shqiptarë udhëtuan përtej kufirit këtë periudhë. Kjo shifër rezultoi 20% më shumë se vitin e kaluar. /abcnews.al