Operatori turistik, Besnik Vathi thotë se turizmi ka shënuar rritje në vend, por duhen saktësuar shifrat, pasi ka edhe hyrje të turistëve tranzit.
Në emisionin “Money Report” në ABC News, Vathi u shpreh se Shqipëria është në tregun rajonal dhe botëror të turizmit.
Sipas Vathit, vendi ynë është në rritje të vazhdueshme, sa i takon këtij sektori.
“Mua më pëlqejnë shifrat, pavarësisht se jam pesimist për saktësinë e shifrave, por në realitet, nëse shifrat kanë dalë me shumëzime, pjesëtime, jo nga të ardhurat direkte, vihet në dyshim. Ne vazhdojmë të raportojmë si turistë të gjitha hyrjet në kufi. Edhe numri i turistëve në kufi, rritet nga viti në vit. Sa janë tranzitët? Këtë nuk e kemi nxjerrë asnjëherë. Nëse ne raportojmë vetëm hyrjet në kufi, kjo është shifër e gabuar. Në Shqipëri ka deri në 5 milionë hyrje tranzit. Do doja që shifrat të ishin më të larta, por më të sakta. Pjesa e parë e vitit, natyrshëm është numër i lartë, në raport edhe me vitin e kaluar. Shqipëria tashmë është në tregun rajonal dhe botëror të turizmit, konkurron me produktet e saj. Llojet e ndryshme të turizmit ofrohen në Shqipëri. Unë besoj që jemi tashmë në një rritje të vazhdueshme, duke synuar që shifrat të ishin të pastruara nga vizitorët tranzit, nuk sjellin të ardhura. Lufta është faktori më i madh që ndikon në trembjen dhe lëvizjet e turistëve, për të ndërruar destinacion, por ulja e vendimmarjes për të bërë një prenotim”, theksoi ai./abcnews.al


