Turizmi është një ndër sektorët me peshën kryesore të nxitjes së ecurisë ekonomike në vend.Duke qene se jemi në prag të nisjes së sezonit turistik ku pritet një fluks i turistëve të huaj shumë biznese planifikojnë që të punësojnë më shumë staf.Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e Besimit të Biznesit për muajin maj ku rezulton se sektorët që lidhen direkt me turizmin kanë vlerësime shumë pozitive për fitimet e tyre por edhe për numrin e të punësuarve.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rritje për të tretin muaj radhazi, duke u ngjitur me 2.1 pikë përqindje në maj. Niveli i tij aktualisht qëndron 24 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ndikim kryesor patën vlerësimet më optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës .Gjithashtu, pritshmëritë për punësim në këët sektor janë rritur këtë muaj.
Po ashtu edhe treguesi i besimit në tregti u rrit me 1.3 pikë përqindje në muajin maj, duke vijuar prirjen rritëse që nga muaji mars i këtij viti duke qëndruar rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në përmirësimin e vlerësimeve ën këët sektor ndikuan kryesisht pritjet më optimiste për punësimin në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje.
Ndërkohë në projeksionet e qeverisë turizmi është një ndër udhëheqësit e punësimit në vend dhe parashikohet që papunësia të zbresë në 9.3% në 2027. Ndryshe nga këta sektorë ndërtimi dhe industria kanë pësuar një ngadalësim të pritshmërive për muaj në vijim.Po ashtu edhe konsumatorët vlerësuan më dobët situatën e tyre financiare, situatën ekonomike të vendit në të ardhmen si dhe blerjet në shuma të mëdha./abcnews.al