TIRANË- Shqipëria dhe bukuritë e saj turistike kanë qenë në fokus të mediave ndërkombëtare. Pasoja e kësaj jehone të madhe ka bërë që në vendin tonë të shtohet “vrullshëm” numri i turistëve nga e gjithë bota.
Ata kanë ardhur të organizuar për të eksploruar bukuritë natyrore, duke filluar nga deti, mali dhe sitet arkeologjike nga jugu në veri. Rritja e numrit të turistëve ka ndikuar drejtpërdrejt në nxitjen e ekonomisë shqiptare.
Drejtoresha e përgjithshme e turizmit në Ministrinë e Kulturës, Herida Duro, e ftuar në “Special Report” thotë se ky vit premton një rritje me 40% të turistëve, që do vijnë dhe prekin tokën shqiptare.
Ajo theksoi se Shqipëria ka një avantazh pasi ofron një ofertë turistike të larmishme, tek e cila turistët gjejnë mundësi të shumta eksplorimi.
“Shqipëria ka treguar një rrije progresive në vitet e fundit. Premton rreth 40% më shumë të turistëve, të cilët presim të vijmë këtu. Kjo rritje është e organizuar dhe e pritur. Kjo prurje ka qenë e qëndrueshme. Çdo muaj që prej janarit të këtij viti, turizmi ka pasur një qëndrueshmëri. Nuk kemi një turizëm të surprizës, por një turizëm të lidhur në kontrata dhe qëndrueshmëri. Kontratat e lidhura janë në tryeza dhe operatorët janë të organizuar në pritjen e këtij volumi. Shqipëria ofron një diveristet të ofertës së saj turistike. Ka turizëm kulturor, ka turizëm në agroturizëm, këtu tregojmë vlerat tona origjinale, sidomos në kulinari”, tha ajo.
Ajo theksoi se të gjitha institucionet e vendit janë në bashkërendim të ngushtë me qëllimin kryesor, që turistët të shijojnë pushime të qeta.
“Ka një bashkëveprim të jashtëzakonshëm nga të gjitha autoritetet. E gjithë kjo masë, është organizuar që vitin e kaluar. E gjithë infrastruktura, është në funksion të turizmit. Turistët presin dhe tashmë nga një fjalë e mirë, e përçuar nga vetë turistët vitet e fundit, ka bërë që të kenë pritshmëri të larta në Shqipëri”, tha ajo./ abcnews.al