Nga Mentor Kikia
Turizmi është në krizë të fortë këtë vit. Kjo është e rëndë dhe nuk ka aspak vend për entuziazëm dhe hare opozitare. Pamjet e plazheve në Jug, në atë që ishte pretenduar si zona e turizmit elitar në Shqipëri, rrëfimet e pronarëve të hoteleve dhe shtëpive -hotele, janë të trishtueshme. Ndërsa, si çdo verë, edhe këtë vit, fushata e denoncuesve të çmimeve abuzive, apo më saktë të paarsyeshme, vazhdon.
Në këto kushte qeveria ka gjetur të bëjë punën më të gabuar. Ajo po i përgjigjet situatës me një fushate reklamash bajate. Ajo mbyll sytë dhe kërkon që edhe ne të shikojmë atë që do ajo, pra të kundërtën e asaj që është.
Padyshim që ky është një problem i madh ekonomik dhe si i tillë, ai fillimisht duhet pranuar, e më pas të kërkohen zgjidhje.
Ky është një vit krize. Pushues të huaj ka më pak si pasojë e rritjes së kostove në nivel global. Lufta në Ukrainë ka krijuar një kolaps edhe për vende të tjera që jetojnë me turizëm. Por ajo që po ndjehet fort këtë vit është edhe mungesa e pushuesit vendas.
Situata në Jug ishte e pritshme. Një këmbëngulje titanike e operatorëve në këtë zonë, për të operuar me çmime aspak të justifikuara me shërbimin që ofrohet dhe, mbi të gjitha, llojin e pushuesve që vjen këtu, është një nga shkaktarët kryesore të kësaj rënijeje.
Kryeministri Rama e bëri dalje menjëherë disfatën: Vetë e keni fajin që rrisni çmimet, mos prisni tani t’ju rimbursojë qeveria.
Por, po sikur plazhet të ishin plot, çfarë do të bënte qeveria? Do të vraponte ajo të përvetësonte suksesin? Pa asnjë dyshim që po. Ndërsa kur dështimi shtrohet mbi plazhe në vend të pushuesve, qeveria e dorëzon menjëherë përgjegjësinë.
Por çfarë mund të bëjë qeveria, mund të pyesim?
A bëri ndonjë studim qeveria, se ku do ta çonte Jugun e babëzitur kjo babëzi?
Nëse disfata e Jugut do të ishte parashikuar, qeveria mund ti mblidhte pronarët e tu thoshte: Po shkoni drejt greminës. Mbani dorën.
A ka bërë ndonjë studim qeveria, se cila shtresë e shqiptarëve pushojnë dhe cila pushon në Shqipëri? A pushojnë 35 % popullisë që janë fshatarët? Ku pushojnë 5 % që janë shtresa super e pasur? Sa nga pjesa tjetër e shoqërisë kanë mundësi të bëjnë pushime? A pushojnë dhe ku pushojnë?
A janë bërë studime, për të mësuar se cila shtresë pushuesi i huaj vjen këtu. Çfarë gjejnë ata këtu tek ne më shumë sesa në Mal të Zi, Turqi, Kroaci etj? Nëse ata preferojnë Shqipërinë sepse u pëlqejnë prodhimet disi më organike, u pëlqen kuzhina dhe çmimet ende të arsyeshme në krahasim me vende të tjera, atëherë qeveria mund ta kishte mbledhur “ansamblin babëzia” e ti thoshte; këto janë armët tona dhe hajde ti ruajmë, që të mbijetojmë.
E dini ju që Saranda, “perla” e Jugut, nuk afrohet në standard shërbimi as me një fshat turistik malazez?
Kur u themi këto, ju të akuzoni se i bëjmë antireklamë Shqipërisë, se jemi të shitur…
A është bërë ndonjë studim për të mësuar perceptimin e pushuesve, vendas e të huaj. Çfarë mendojnë ata se duhet përmirësuar? Cilat janë problemet më të mëdha?
A jemi shtruar të arsyetojmë se përse vazhdon braktisja masive e pushuesve kosovarë, të cilët po ndjehen gjithnjë e më mirë në Ulqin?
Në vend të këtyre studimeve, jemi mjaftuar me ndonjë turist që intervistohet nga ndonjë gazetar, e që thotë se Shqipëria është vend i bukur, dhe shqiptarët njerëz shumë mikpritës. Dhe me kaq fluturojmë me ….
Detyra e qeverisë është të prodhojë politika orientimi, të prodhojë strategji dhe të nxisë masa që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Por në vend të prodhimit të politikave orientuese, qeveria jonë poston natë e ditë foto dhe video nga peisazhet e bukura të Shqipërisë. Ndërsa tani, kur plazhet janë bosh, ministrja e turizmit shfaqet në video qesharake, ndërsa shikon një qese mbeturinash që i del përpara rastësisht, aty ku ajo po kalon me eskortën e saj mediatike, dhe e merr e hedh në kosh.
Zonja ministre, ajo është punë e pastruesve të bashkisë. Ty të kemi votuar dhe të kanë caktuar të bësh ministren dhe të paguajmë, të dirigjosh politikat e zhvillimit, të parashikosh krizat e të orientosh operatorët si të mbijetojnë. Të identifikosh përmes studimeve, pikat e dobëta dhe pikat e forta të sektorit dhe të mbështetemi në studime për të ecur përpara.
Ju mendoni se turistët do të vijnë këtu ngaqë do lexojnë postimet tuaja qesharake në FB, apo se ju dëgjon juve teksa thoni se ne do të bëhemi superfuqia turistike e rajonit? Ju mendoni se plazhet do të mbushen meqë ju thoni se po vijnë edhe pushues nga Greqia, meqë do të keni takuar ndonjë greqishtfolës diku në ndonjë qoshe?
Nëse një rajon turistik falimenton, qeveria është edhe më përgjegjëse sesa ata që vënë çmimet në menu. Sepse detyra e qeverisë është të jetë më e përgjegjshme dhe më largpamëse sesa një i pangopur që çmimin e një sallate domatesh e vë 400 lekë ndërsa domatet kalben arave në çdo fshat të Shqipërisë, apo një shishe ujë 750 ml, e shet 400 lekë, sikur ta importojë nga fjordet e Norvegjisë./abcnews.al