Turizmi, Klosi: Shqipëria paketë turistike me pesë vende të rajonit

schedule15:40 - 11 Korrik, 2019

schedule 15:40 - 11 Korrik, 2019

Shqipëria do të ketë paketa të përbashkëta turistike me vendet e tjera të rajonit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se vendi ynë do të jetë dhe pjesë e projekteve për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit.

Gjashtë vende të rajonit po synojnë hartimin e një pakete të përbashket turistike. Ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit ka nisur diskutimet me homologet në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.

“Mendoj që jo vetëm në rajonin e Mesdheut, por të gjithë rajonet kanë filluar të mendojnë si destinacione të përbashkëta pasi tregu i turizmit ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që udhëtojnë ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që përfitojnë nga turizmi ka ndryshuar shumë dhe gjithmonë e më shumë ofertat janë bërë komplekse. Prandaj unë do të doja shumë që t’ju nxisja të gjithëve ju që jeni këtu për të qenë pjesë e ideve të përbashkëta”.

Ministri Klosi kërkoi bashkëpunimin e shoqërisë civile për gjetjen e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, ndërsa i premtoi mbështetje të institucioneve shtetërore. /ABC news Albania 24/7