Turizmi pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore ekonomike në Shqipëri edhe në vitet që vijnë . Në vlerësimet e institucioneve turizmi pritet që të sjellë në ekonominë shqiptare rreth 6.7 miliardë euro deri në vitin 2030. Strategjia Kombëtare e Turizmit 2025-2030, që është dokumenti bazë për orientimin de zhvillimin e sektorit në 5 vitet e ardhshme parashikon që vendi të ketë mbi 477 mijë shtretër deri në 2030 me një rritje prej 76%.
Po ashtu qeveria parashikon që kontributi i dhënë në punësim nga ky sektor të jetë i konsiderueshëm .Planifikohet që deri në vitin 2030 nga sektorët dhe nënsektorët e shërbimeve të punësohen mbi 73 mijë në 2030 përkundër 42 mijë punonjësve që ishin në turizëm në 2023.
Strategjia e turizmit përfshin masa stimuluese për më shumë investime, lehtësi në taksa, por edhe një fokus të theksuar ndaj informalitetit në sektor, ndërsa të ardhurat nga taksa e fjetjes pritet të arrijë në 70.5 mln euro deri në 2030.
Strategjia Kombëtare e Turizmit projekton gjithashtu krijimin, dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.
Në pjesën e parë të vitit sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka pritur mbi 4.7 milionë turistë të huaj, një rritje me gati 4.8% se kundrejt periudhës janar-qershor të vitit të shkuar.
Vizitorët nga Europa mbajnë edhe peshën kryesore me numrin më të lartë të hyrjeve në vend, teksa vërehet edhe një rritje e turistëve nga Amerika, Azia Lindore e Jugore si dhe turistëve nga Lindja e Mesme./abcnews.al

