Nga Leonidha Musaj
Edhe pse vjeshta ka nisur në Durrës, pushuesit vijojnë të rezervojnë hotelet. Këtë pohon një prej tur-operatorëve, Blerim Norja të cili thekson se po synojnë që të zgjasin sezonin deri në fund të muajit shtator.
“Për ne nuk është fundi, pasi besojmë se do kemi fluks deri në fund të shtatorit. 2 javët e para kemi rezervime. Këtë periudhë ndryshon tipi i pushuesve, kjo pjesë e shtatorit frekuentohet më shumë nga moshat e treta”, tha Norja.
Ndriçim Duka, menaxheri I një prej hoteleve në bregdetin e Durrësit thotë se rritja e çmimeve ka ndikuar në uljen e numrit të pushuesve në krahasim me verën e kaluar.
“Kemi qenë konstant me çmimet jemi shtrënguar kemi menduar të fitojmë më pak vetëm mos na ikë turisti, por krahasuar me një vit më parë jemi më dobët”, tha Duka.
Kanë dominuar prenotimet me paketa të plota dhe ato me mëngjes e darkë. Veç pushuesve nga Kosova apo Maqedonia e Veriut që janë të përhershme, ka pasur dhe nga shtete përtej Evropës.
“90% kanë qenë me all inclusive. Ka larmi nacionalitete, veç pushuesve tipikë që janë polakët, nordikët, çekët, këtë vit janë shtuar dhe belgët, gjermanët, spanjollët dhe pak italianë. Dihet që dhe pushuesit elitarë që I kemi kosovarë dhe maqedonas, që nuk e tradhtojnë Shqipërinë i kemi çdo vit prezent.”
“Kemi pasur nga lindja e mesme, për momentin kemi indianë, kemi pasur italianë, shqiptarë të diasporës. Vetëm se këtë vit nuk kemi pasur turistë serbë dhe boshnjakë që vjet kemi pasur.”/Abcnews.al/