Turistët preferojnë ta shijojnë kryeqytetin nga Kulla e Sahatit

schedule15:59 - 23 Gusht, 2018

schedule 15:59 - 23 Gusht, 2018

Kulla e Sahatit në qendër të Tiranës zgjon interesin e turistëve. 3 mijë e 500 vizitorë për këtë sezon kanë preferuar të shijojnë kryeqytetin tonë nga 30 metra lartësi. Edhe mini muzeu ngjitur me kullën e Sahatit ku pasqyrohen objekte etografike rezulton mjaft i vizituar.

Qendra e qytetit është pikënisja e turistëve për të shijuar Tiranën. Pa dyshim që Kulla e Sahatit tërheq turistët për ta vizituar. Gjatë këtij sezoni, sipas statistikave të disponuara nga biletaria, mbi 3500 persona kanë shijuar pamjen e qytetit nga 30 metra lartësi për vetëm 200 lekë. Për tu ngjitur lart, çdo turisti i duhet që të ngjisë 92 shkallë metalike, për të mbërritur në sheshpushimin ku ofrohet pamja e nga të katërta anët si në pëllëmbë të dorës.

Kulla e Sahatit, simboli i qytetit të Tiranës, mbetet një ndër destinacionet më të preferuara nga turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë pamjen e mrekullueshme të Tiranës, gjithashtu e shfrytëzojnë për të bërë dhe foto. Turistë të shumtë si nga Izraeli, Italia, Sllovakia apo emigrantë të shumtë shqiptarë kanë preferuar ta shijojnë Tiranën nga aty. Ata japin përshtypjet e tyre për Tiranën dhe vendet e tjera që kanë vizituar gjatë turit të tyre në Shqipëri.

Turistja 1: “Mendoja se Tirana nuk do të ishte e bukur. Unë vij nga Barcelona dhe në të vërtetë u surprizova. Ky është një qytet shumë i këndshëm me shumë bare dhe restorante. Pamja nga këtu është shumë e bukur.”

Turisti 2: “Në Shqipëri vjet isha, por në Tiranë u bënë gati 9 vite që s’kam ardhë që kur ika 10 vite më parë. Kam qenë në Sarandë e Vlorë. Tirana është shumë bukur, ka ndryshuar shumë bukur. Shpresojmë gjithmonë për më mirë.”

Turistja 3: “Po shijoj një pamje tjetër të Tiranës nga lart, duket thjesht e mrekullueshme. Edhe Muzeu Etnografik ishte i këndshëm.”

Turisti 4: “Është një pamje vërtet mbreslënëse nga kaq lart. Qendra të ofron shumë vende për të vizituar si Muzeu Historik apo Etonografik ngjitur me Kullën e Sahatit. Jam surprizuar nga Tirana, një qytet modern ku ka parqe lokale dhe mjaft restorante.”

Brenda një hapësire të vogël ata mund të njihen edhe me veshjet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme, madje kjo është mundësia e vetme, pasi kryeqyteti ende nuk e ka një muze Etnogtrafik, madje as në Muzeun Historik Kombëtar nuk ekziston ende një pavion ku pasqyrohen, veshjet tradicionale apo objekte etnografike.

Kulla e Sahatit vazhdon të ketë orare zyrtare edhe në sezonin e verës. Çdo turist do të mund ta vizitojë çdo ditë nga ora 9:00-16.00, të shtunën deri në orën 14:00 dhe të dielën pushim./abcnews.al

Gazetare e ABC News: Leontina Nika

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!