Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë në “Ballkan Update” në ABC analizoi turin treditor në rajon të ministrit të Jashtëm Igli Hasani, duke thënë se Shqipëria tenton të afirmojë proaktivisht me një ministër të ri dhe të respektuar pista të reja në fuqinë e saj rajonale.
“Është një vizitë që ndodh pas përfundimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, pra Shqipëria vjen me një bagazh njohjesh të kultivuara gjatë atij mandati, ku shkëmbehen favore, miqësi në çdo pjesë të globit. Të bësh një vizitë në tre shtete njëherësh tregon edhe një lloj fuqie: ke subjektivitet ndërkombëtar, interesa reciprokë, dhe popullsi kombëtare, shpërndarë rreth kufijve, protokoll të nivelit të lartë, etj. Do të shtoja se po plotësohet kësisoj një vizion i ri i rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Pika më e fortë e Shqipërisë janë shqiptarët në rajon për të cilët po themelohet një drejtori e re dhe vendi ynë po synon ta fuqizojë vlerën e fuqisë ndërkombëtare”, ka thënë Nazarko.
Në këtë linjë analisti Nazarko u shpreh se Shqipëria duhet të jetë proaktive dhe të shfrytëzojë potenciale të reja – me referencë historike ama- në pikëpamje të politikave arsimore pro shqiptarëve të rajonit, me sens sintonizues mes vedi dhe me Perëndimin. Duhet përdorimi i karotës ( stimuj të shtetit amë), por dhe shkopit( qortime për abuzuesit me flamurin etnik”- nënvizoi Nazarko. “Duhet për të sjellë një referencë historike, një lloj revolucioni kulturor i ngjashëm me atë të periudhave të caktuara të historisë, ku mësues nga Shqipëria dërgoheshin në viset shqiptare, kultura dhe dija duhet të qarkullojë fuqishëm midis kufijve.
“Gjithë ky angazhim i Tiranës, i Shqipërisë nëpërmjet ministrit të Jashtëm, figurë me angazhime të respektueshme në fushën e sigurisë, organizatave ndërkombëtare, pas spostimit të angazhimit diplomatik të veprimtarisë së një shteti të vogël nga Këshilli i Sigurimit në politikën rajonale-është e mirëpritur. Qëndrimi i Shqipërisë është në përputhje me një vijë sjellje të diplomacisë së vet në 30 vjetët e fundit, në linjë me BE, por brenda boshtit ekzistues duhen ndryshime sasiore dhe cilësore. Përshembull, atje ku ka pasur ndryshim në qëndrime si në Mal të Zi- lidhur me mbështetjen e partive qytetare, ne i kemi avancuar marrëdhëniet dhe interesin kombëtar. Por nisur nga ky fuqizim i viteve të fundit, dua të them se ne mund të jemi një faktor akoma më i rëndësishëm në rajon. Sot Shqipëria, faktori shqiptar në rajon është më i përçarë se kurrë, si në Serbi, Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Kosovë është në një lloj amullie të papërcaktuar dhe ka divergjenca me Shqipërinë dhe Perëndimin. Kemi një përplasje të politikave të jashtme të Shqipërisë(më pak agresive dhe interventiste)me Kosovën që pa komplekse është përfshirë përshembull në Maqedoni në një vepër konsoliduese të opozitës atje. Kosova në divergjencë me Shqipërinë dhe Perëndimin, është duke zhvilluar një protagonizëm që mund të favorizojë indirekt një parti si VMRO. Ky angazhim që lidhet me kryeministrin Kurti në fakt është në linjë me atë të paraardhësve të vet, pasi e ka bërë rregullisht atë”, ka thënë ndër të tjera analisti Nazarko.
/abcnews.al/