Tumoret po u marrin jetën meshkujve, femrat më të kujdesshme

schedule16:40 - 5 Qershor, 2019

schedule 16:40 - 5 Qershor, 2019

Tumori mori 3695 jetë njerëzish vitin e kaluar. Duke përjashtuar efektin e moshës, sipas mjekut Alban Ylli vdekshmëria është në trendin e duhur. Meshkujt janë të prirur të mbeten viktima më shumë se femrat, për shkak të mënyrës së rrezikshme të jetesës që bëjnë. Ndërsa tek të rinjtë nuk ka prirje të reja. 

3.695 mijë shqiptarë humbën jetën gjatë vitit të kaluar si pasojë e tumoreve, ku 2.365 ishin meshkuj dhe 1.330 raste femra. Lidhur më këto shifra, televizioni ABCNews komunikoi me mjekun e Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili tha se duke shmangur efektin e moshës, vdekshmëria është në trendin e duhur.

“Do të vinim re që ka një ulje të lehtë të vdekjeve të kancerit gjatë shtatë viteve të fundit. Popullata shqiptare do të jetë gjithmonë e më e plakur në të ardhmen. Nëse shmangim çështjen e moshës vdekshmëria duket se është në trendin e duhur”, tha doktori.

Duke krahasuar numrin e vdekjeve ndër vite, Alban Ylli tha se Shqipëria është nuk është më në fazën e rritjes së viktimave nga tumoret.

“Shqipëria e ka kaluar fazën e viteve ‘90 dhe fillimin e viteve 2000, ku kanceri nga pikëpamja e vdekshmërisë kanë qenë të larta dhe ka hyrë një fazë ku nga pikëpamja e vdekshmërisë së standardizuar duket se kemi ose stanjacion ose dhe rënie të vdekshmërisë nga disa kancere të caktuara”, tha Ylli.

Mjeku thekson se meshkujt mbi moshën 50 vjeç janë më të prirur të mbeten viktima. Shkaqet janë të lidhura kryesisht me stilin e tyre të jetesës.

“Pijnë më shumë duhan se femrat, kanë pirë më shumë duhan se femrat dhe vijojnë të pinë më shumë duhan se femrat. Do të ketë më shumë kancer mushkërie te meshkujt për sa kohë do jetë ky profil i duhanpirjes”, tha doktori.

Ndërsa vdekjen tek meshkujt në grupmoshat 20-24 vjeç, dhe mbi 30- vjeç, nuk e sheh si diçka alarmante.

“Numrat janë tepër të vegjël për të folur për një prirje. Është e vërtetë që kanceri ndodh edhe në mosha të reja. Disa kancere mund të hasen nën 30 vjeç. Shumica dërrmuese e kacereve ndodh tek moshat e vjetra. Do ishte shumë e vështirë që të flisnim për një prirje bazuar në një numër të tillë”, tha doktori.

Vdekjet nga kanceri i gjirit janë në rënie, duke përjashtuar efektin e moshës.

“Ka një prirje për ta kontrolluar më mirë kancerin e gjirit në Shqipëri. Ka një lidhje me ndërgjegjësim më të madh të popullatës me prirjen për ta kapur atë më herët. Nëse në vdekjet totale nuk ka më rritje për kancerin e gjirit në Shqipëri, duket që vdekshmëria nga ky kancer është në rënie”, tha doktori.

Për moshat e reja, Alban Ylli tregon se kanë një numër të vogël të vdekjeve. Më tej, ai thotë se shtimi i viktimave tek të rinjtë mund të parandalohet përmes ndërgjegjësimit, në mënyrë që sëmundja të kapet në kohë.

Në krye të tumoreve, vijon të mbetet kanceri i mushkërisë, ndjekur nga ndjekur nga kanceri në gji, stomak, zorrën e trashë, mitër dhe prostatë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!