“Tulipanët” apo “Luanët”? Luhet në mbrëmje gjysmëfinalja e dytë në Euro 2024, Holandë-Angli

schedule16:22 - 10 Korrik, 2024

schedule 16:22 - 10 Korrik, 2024

Nuk e ka padyshim magjinë e sfidës së kaluar.

Me gjithë respektin, Anglia dhe Holanda nuk kanë dhënë përshtypjen e një Spanje apo France, por gjithsesi, edhe dueli i sotëm luhet për një vend në finalen e Kampionatit Evropian, tekas në orën 21:00, dy ekipet do të sfidojnë njëri-tjetrin në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, me anglezët që janë favoritë.

“Tre luanët” nuk kanë asnjë lojtar të dëmtuar dhe të pezulluar, me mbrojtësin e majtë të Manchester United, Luke Shoë, që është gati të zbresë në fushë pasi la pas dëmtimin, teksa është i vetmi mbrojtës i majtë natyral që ka Anglia.

Deri më tani, “Tre Luanët” kanë marrë një sërë kritikash, sidomos për stilin e lojës së tyre të vakët dhe pa shumë finalizimeve, mirëpo tekniku Gareth Southgate nuk i ka lënë në baltë lojtarët e tij, teksa i ka mbrojtjur gjatë konferencës për shtyp.

“Kam shumë fat që punoj me këtë grup të mrekullueshëm lojtarësh. Ne punojmë të bashkuar, ashtu siç kemi bërë gjithmonë. I kemi analizuar paraqitjet tona, edhe si staf teknik, edhe bashkë futbollistët. Kemi diskutuar çfarë mund të bëjmë më mirë. Kemi një dialog shumë të hapur për këtë. Uniteti është gjëja jonë më e veçantë. Plot 21 lojtarë kanë qenë në fushë. Ata duan të fitojnë për vendin, për tifozët, për veten dhe për mua si trajner”,- u shpreh strategu i pankinës së “Tre Luanëve”.

Holanda po ashtu e do finalen me patjetër, për të arritur titullin e dytë europian pas atij të vitit 1988, ku pjesë e asaj skuadre të madhe, me Van Baste, Ruud Gullit e Frank Rijjkard ishte edhe tekniku i tanishëm i “Tulipanëve”, Ronald Koeman, i cili për fat këtë të mërkurë nuk ka probleme me dëmtimet dhe pezullimet, ndërsa pritet që sulmuesi Ëeghorst të jetë titullar, teksa gjatë konferencës për shtyp ka folur me qetësinë tipike holandeze.

“Ne kemi pushuar siç duhet dhe besoj se kemi energjinë e plotë për të luajtur gjysmëfinalen. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm ndaj Anglisë. Nuk është se jemi të tronditur pas ndeshjes ndaj Turqisë, sepse ne fituam, edhe pse pësuam gol në pjesën e parë. Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e dytë, dhe përballuam vështirësitë. Treguam karakter. Anglinë e kemi analizuar, kemi studiuar  sistemin e saj të lojës. Ne jemi të përgatitur”, – u shpreh “numri 1” i pankinës së “Tulipanëve”.

Holanda ka bilanc më pozitiv ndaj Anglisë, me 7 fitore e 6 humbje, ndërsa në 9 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm një disfatë e ka arritur 4 suksese. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!