Në një intervistë televizive, kryeministri grekAleksis Tsipras u shpreh se marrëveshja e Prespës i shërben edhe Greqisë. Tsipras tha se Greqi nuk ka interes për një Shqipëri të madhe, pranë kufijve te saj.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka paralajmëruar se një shpërbërje e mundshme e Maqedonisë, mbart rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe. Tsipras e përdori këtë hamendje gjatë një interviste televizive, duke argumentuar se Marrëveshja e Prespës i shërben interesave të Greqisë.
Alexis Tsipras, Kryeministër i Greqisë: “Greqia nuk ka asnjë interes nga një destabilizim në kufijtë e saj veriorë. Nuk ka asnjë interes të ketë një front të hapur në një vend që do të mund të ishte një hapësirë jetike për ekonominë tonë dhe bizneset tona. Nuk ka asnjë interes nga shpërbërja e atij vendi dhe mundësia e një “Shqipërie të Madhe” në kufijtë tanë. Dhe sigurisht, nuk ka asnjë interes të shpenzojë kapitale diplomatike në një periudhë kur kemi një komshi nevrik (Turqia), i cili përbën kërcënim për Greqinë, ndërsa ish Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk përbën kërcënim”.
Gjatë intervistës për televizionin Open, Tsipras tha se e konsideron marrëveshjen e Prespës si arritjen më të madhe të mandatit të tij, pas daljes së Greqisë nga programet e shpëtimit. Kryeministri grek sqaroi se ai do të nisë procedurën për miratimin e marrëveshjes nga parlamenti grek, sapo të përfundojnë procedurat në parlamentin e Shkupit.
Alexis Tsipras, Kryeministër i Greqisë: “Synoj që sapo të votohet në parlamentin e Shkupit dhe ministria e jashtme greke të njoftohet me notë verbale mbi përfundimin, menjëherë do t’ia kaloj rezultatin presidentit të republikës, kryetarit të parlamentit dhe partive politike, që të verifikojnë. Nëse ndryshimet kushtetuese respektojnë kuadrin e marrëveshjes së Prespës. Pastaj do të merrem vesh me kryetarin e parlamentit që të fillojnë procedurat”.
Tsipras tha se nota verbale nga Shkupi do të mbërrijë jo më vonë se fundi i javës së ardhshme. Rrjedhimisht, kryeministri grek, ai parashikoi se Marrëveshja e Prespës do të kalojë për votim në parlamentin vendas brenda janarit.
Gazetar i ABC News, Greqi: Robert Goro
/abcnews.al