“Që një vend të ndërtojë demokraci, patjetër që i duhet dialogu politik”. Kështu u shpreh këtë të hënë deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi. Sipas saj reforma e ardhshme zgjedhore është reforma e rëndësishme për të cilën palët politike në vend duhet të ulen në tryezë sëbashku.
Kjo mund të jetë edhe arsyeja që PS dhe PD të ulen në një tavolinë sëbashku për të kapërcyer ngërçin ku ndodhet situata politike në vend. Gjatë një interviste me gazetaren Mirela Milori në ABC News, Ekonomi tha se ulja mes palëve kryesore politike në vend do të ndodhë. Megjithatë sipas saj, kjo gjë do të marrë kohën e vet.
Mirela Milori: Zakonisht përpara se të bëhen takimet e të mëdhenjve ka disa takime të vogla në nivele me profil të ulët, personazhe pranë liderëve, por që kanë profil të ulët. Ka filluar kjo situatë, ka filluar ky shkëmbim takimesh të të tretëve, të të dytëve dhe pastaj vijmë tek të parët?
Milva Ekonomi: Zakonisht këto lloj takimesh kanë një diskrecion. Nuk di t’ju them për këtë gjë. Unë shikoj atë që diskutohet në grup se si perceptojmë reformimin vazhdueshëm të shtetbërjes në Shqipëri kështu që nisur nga kjo po mendoj që tavolina është një gjë që do të ndodhë.
Mirela Milori: Ndoshta përpara datës së marrjes së negociatave? Përpara fundit të Tetorit?
Milva Ekonomi: Ky është një proces që do marrë kohën e vet, do ketë presionin e vet edhe nga situata që po përjeton Shqipëria, por edhe fakti që vjen Donald Tusk këtu dhe flet për ardhmërinë e Shqipërisë mund të jetë një element motivi.
Të martën, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, do të vijë në Shqipëri. Takimi vjen një muaj nga data 18 Tetor, ku pritet të jepet vendimi për çeljen ose jo të negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë e Maqedoninë e Veriut./abcnews.al