Në ditën e dytë të punimeve të samitit të G7-s, presidenti Donald Trump është paraqitur i fundit në tryezën e bisedimeve dhe është larguar prej andej i pari. Duke folur për mediat, Trump e ka vënë theksin tek rëndësia e rikthimit të Rusisë në radhët e grupit dhe tek çështja koreane.
Dita e dytë e samitit të G7-s ka patur të papriturat e saj dhe protagonist i tyre ka qenë pa dyshim presidenti amerikan Donald Trump. Fillimisht Trump u paraqit me vonesë në tryezën e bisedimeve, por kjo nuk e shqetësoi shumë të zotin e shtëpisë, kryeministrin kanadez Justin Trudeau, i cili i nisi punimet pa praninë e shefit të Shtëpisë së Bardhë.
“Le të nisim pa pritur të vonuarit”, tha Trudeau.
E teksa ai fliste dhe të gjithë ishin ulur në tryezë, miliarderi mbërriti dhe zuri vend pranë drejtoreshës së përgjithshme të FMN-së, Christine Lagarde. Por kjo nuk ka qenë e vetmja veçanti e së shtunës. Pasi mbërriti i fundit, Trump është larguar i pari nga tryeza për t’u përgatitur për samitin e së martës me Kim Jong Un, në Singapor. Për mediat, Trump ka deklaruar se lideri koreano-verior ka një shans për të bërë diçka të madhe për popullin e tij.
“Ka një mundësi që nëse shohim historinë vetëm pak vende e kanë patur. Është një mundësi e vetme, nuk do të ketë tjetër”, ka thënë Trump.
Ai ka shtuar se, edhe fqinjët e Koresë së Veriut, Korea e Jugut, Japonia, Kina dhe vende të tjera dëshirojnë një paqe afatgjatë dhe prosperitet. Më tej Trump ka folur sërish për rikthimin e Rusisë në radhët e grupimit të vendeve më të industrializuara të botës, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në interesin e të gjithëve. I pyetur për pushtimin e Krimesë, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka fajësuar parardhësin e tij, Barack Obama, për mënyrën se si menaxhoi marrëdhëniet me Rusinë./abcnews.al