Një kontingjent prej 15 ushtarësh francezë ka mbërritur në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, ndërsa disa shtete evropiane po dërgojnë personel ushtarak në ishull si pjesë e një misioni të ashtuquajtur zbulues. Dislokimi do të përfshijë gjithashtu trupa nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Lëvizja vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të këmbëngulë për marrjen nën kontroll të Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se kontingjenti fillestar do të përforcohet së shpejti me “kapacitete tokësore, ajrore dhe detare”.
Diplomati i lartë francez Olivier Poivre d’Arvor e cilësoi misionin si një sinjal të fortë politik: “Ky është një ushtrim i parë… do t’i tregojmë SHBA-së se NATO është e pranishme.”
Dislokimi ushtarak pason vizitën e ministrave të jashtëm të Danimarkës dhe Grenlandës në Uashington, ku u takuan të mërkurën me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance. Pas takimit, ministri i jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen tha se, megjithëse bisedimet ishin konstruktive, mbetej një “mospajtim themelor” mes palëve dhe më pas kritikoi hapur përpjekjet e Trump për të blerë Grenlandën.
Trump, nga ana e tij, e përsëriti pretendimin për ishullin, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale se “na duhet Grenlanda për sigurinë kombëtare”. Edhe pse nuk e përjashtoi përdorimin e forcës, ai tha se besonte se mund të gjendej një zgjidhje me Danimarkën. “Problemi është se Danimarka nuk mund të bëjë asgjë nëse Rusia ose Kina duan ta pushtojnë Grenlandën, ndërsa ne mund të bëjmë gjithçka. Këtë e patë javën e kaluar me Venezuelën,” u shpreh ai.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia nuk planifikon t’i bashkohet dislokimit evropian në Grenlandë, por paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të ishte “një katastrofë politike”. “Një konflikt ose tentativë aneksimi e territorit të një anëtari të NATO-s nga një tjetër anëtar i NATO-s do të ishte fundi i botës siç e njohim – dhe i rendit që për dekada ka garantuar sigurinë tonë,” tha ai në një konferencë për shtyp.
Ambasada ruse në Belgjikë shprehu ndërkohë “shqetësim serioz” për zhvillimet në Arktik, duke akuzuar NATO-n se po rrit praninë ushtarake “nën pretekstin e rremë të një kërcënimi në rritje nga Moska dhe Pekini”.
Megjithatë, dislokimi evropian në kuadër të NATO-s përbëhet vetëm nga disa dhjetëra ushtarë dhe është pjesë e stërvitjeve të përbashkëta të udhëhequra nga Danimarka, të quajtura Operation Arctic Endurance. Edhe pse i ngarkuar me simbolikë politike, ende nuk është e qartë se sa kohë do të zgjasë prania e tyre.
Gjermania po dërgon një avion transporti A400M në Nuuk të enjten me një kontingjent prej 13 ushtarësh, të cilët, sipas zyrtarëve, do të qëndrojnë në Grenlandë vetëm deri të shtunën. Zyrtarë të mbrojtjes daneze thanë se, në koordinim me qeverinë e Grenlandës, është vendosur rritja e pranisë ushtarake në periudhën në vijim për të forcuar “gjurmën e NATO-s në Arktik, në dobi të sigurisë evropiane dhe transatlantike”.
Në fjalimin e Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura franceze, Macron theksoi se evropianët kanë një përgjegjësi të veçantë ndaj Grenlandës, “sepse ky territor i përket Bashkimit Evropian dhe është gjithashtu pjesë e aleancës sonë në NATO”.


