Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë liderët e demokratëve dhe republikanëve në Kongres, për të diskutuar mbi sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur bllokada e pjesshme federale ka hyrë në ditën e 12-të. Mediat amerikane që bëjnë të ditur lajmin shkruajnë se nuk ka asnjë garanci që takimi të mbyllet me një marrëveshje, që do t’i jepte fund pezullimit të shërbimeve qeveritare, që në sfond ka financimin e murit me Meksikën.
Bëhet fjalë për premtimin më të përfolur të presidentit Trump gjatë fushatës elektorale, të cilin ai do që ta bëjë realitet e që ka një kosto prej 5 miliardë dollarësh. Më herët demokratët refuzuan konsensusin për lëvrimin e fondit dhe përgatitën një paketë shpenzimesh, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik. Por paketa ka pak shanse të aprovohet në dhomat e Kongresit, sidomos në Senatin e kontrolluar nga republikanët. Vetë Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënëses Sarah Sanders e hodhi poshtë ofertën e demokratëve, pasi nuk financon planin e presidentit Trump për mbrojtjen e familjeve amerikane nga droga dhe krimi./abcnews.al