Presidenti Donald Trump ka tërhequr përfundimisht Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e vitit 2015 mes Perëndimit dhe Iranit. Duke njoftuar vendimin e tij, Trump ka bërë me dije rivendosjen e sanksioneve, të cilat këtë herë do të jenë të një niveli më të lartë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të martën tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja me Iranin dhe ka paralajmëruar se administrata e tij do të vendosë sanksione të nivelit të lartë ekonomik ndaj Republikës Islamike.
“Shumë shpejt do të firmos një memorandum që do të riaktivizojë sanksionet ndaj regjimit iranian, të cilat do të jenë të niveleve më të larta ekonomike”, ka deklaruar Trump.
Ai ka paralajmëruar çdo shtet që ndihmon Iranin në synimin e tij për t’u pajisur me armë bërthamore se do të sanksionohet ashpër nga Shtetet e Bashkuara.
“Amerika nuk do ta mbajë veten peng të shantazhit bërthamor. Koha kur ajo bënte kërcënime boshe ka marrë fund. Kur unë bëj një premtim e mbaj atë”, ka thënë presidenti.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka insistuar se pavarësisht ujdisë me vendet perëndimore të vitit 2015, Irani ka vijuar projektin për pajisjen me armë bërthamore dhe aktualisht ndodhet shumë pranë finalizimit të tij. Një veprim, që sipas Trump, vetëm sa do të vërë në rrezik mbijetesën e regjimit islamik.
“E ashtuquajtura marrëveshje duhej të mbronte Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nga deliri i bombës atomike iraniane. Në fakt, ajo i ka lejuar Iranit të vazhdojë pasurimin e uraniumit dhe të jetë në prag të një eklipsi bërthamor”, ka thënë Trump.
Më tej, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Trump ka shtuar se kjo lëvizje do ta bëjë Amerikën shumë më të sigurtë./abcnews.al