Presidenti amerikan, Donald Trump tha të mërkurën se Irani do ta kishte sulmuar Izraelin dhe ndoshta SHBA-në nëse ai nuk do të kishte dhënë i pari urdhra për sulme.
“Mendoj se nëse nuk do ta kishim bërë ne të parët, ata do ta kishin bërë me Izraelin dhe do të na kishin dhënë një shans nëse do të ishte e mundur”, tha ai gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, shkruan CNN.
Presidenti tha se raketat e Iranit po shkatërrohen me shpejtësi.
Ai pranoi sulmet e Iranit ndaj fqinjëve të tij, por nuk u ndal tek ato.
“Ata po sulmojnë fqinjët e tyre. Ata po sulmojnë, në disa raste, aleatët e tyre, ose, jo shumë kohë më parë, aleatët. Dhe, e dini, është në të vërtetë një komb që ishte jashtë kontrollit”, shtoi Trump.
Më herët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi se një nëndetëse amerikane e fundosi një anije luftarake iraniane pranë brigjeve të Sri Lankës, ndërsa zyrtarë ushtarakë thanë se Irani po lëshon më pak raketa drejt objektivave në rajonin e Gjirit, për shkak të dobësimit të madh të kapaciteteve të tij për të vazhduar luftën.
Duke folur në një konferencë më 4 mars, Hegseth e quajti sulmin një “vdekje të heshtur”. Nga sulmi mbetën të vrarë të paktën 87 marinarë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën ose rezultojnë të zhdukur. Autoritetet e Sri Lankës thanë se 32 marinarë iranianë u shpëtuan.
Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara kanë burime të mjaftueshme për ta vazhduar fushatën, e cila nisi më 28 shkurt paralelisht me sulmet e Izraelit, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke thënë se Uashingtoni do të marrë “gjithë kohën që i duhet” për të siguruar fitoren./abcnews.al


