Trump sulmon sërish Prokurorin e Përgjithshëm

schedule23:24 - 3 Shtator, 2018

schedule 23:24 - 3 Shtator, 2018

Donald Trump ka shpërthyer sërish në akuza ndaj prokurorit të përgjithshëm. Presidenti amerikan ka akuzuar sekretarin e Drejtësisë se po minon fitoren e republikanëve në zgjedhjet për Kongresin.

Presidenti Donald Trump ka sulmuar sërish prokurorin e përgjithshëm Xhef Sessions, duke e akuzuar atë se po dëmton shanset e republikanëve për të fituar zgjedhjet afatmesme. Përmes një seri postimesh në Twitter, Trump ka akuzuar numrin 1 të Departamentit të Drejtësisë për procese hetimore të qëllimshme.

“Dy hetime të gjata mbi dy kongresmenë republikanë, të nisura që nga presidenca e Barak Obama u promovuan me një sërë akuzash në prag të zgjedhjeve afatmesme nga departamenti i Sessions”, ka deklaruar Trump.

Në profilin e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar se dy fitore që konsideroheshin të lehta tashmë janë vënë në dyshim.

“Punë e paqme, Xhef”, ka vijuar me ironi Trump.

Presidenti i është referuar hetimeve që po zhvillohen aktualisht ndaj kongresmenëve Dankan Hanter i Kalifornisë dhe Kris Kollins i Nju Jorkut.

Hanter dhe bashkëshortja e tij Margaret u paditën muajin e kaluar për akuzën e konvertimit ilegal të 250 mijë dollarëve fond fushate elektorale për shpenzime personale, ndërsa Kollins u padit në fillim të gushtit për shpërndarje të informacioneve të klasifikuara.

Sipas prokurorëve, ngjarja për këto akuza ka ndodhur në Qershor të 2017-s, pasi Trump mori detyrën./abcnews.al