Përgjigja e Iranit për planin amerikan të paqes pritet të mbërrijë më vonë këtë të premte.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se Donald Trump dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë marrë njoftim se kundërpropozimi i Iranit për planin e tij të paqes ka të ngjarë të mbërrijë më vonë gjatë ditës.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio konfirmoi gjithashtu se përgjigja e Iranit pritet nga momenti në moment.
Shtetet e Bashkuara i dërguan një plan prej 15 pikash Teheranit për t’i dhënë fund luftës në fillim të kësaj jave.
Detajet e një plani të propozuar prej 15 pikash përfshijnë një fund të programit bërthamor të Iranit, një fund të programit të tij të raketave balistike dhe një fund të mbështetjes së Iranit për “milicitë e ndërmjetme” si Huthit në Jemen dhe Hezbollahu në Liban.
Fillimisht, Irani e hodhi poshtë kategorikisht planin prej 15 pikash të SHBA, duke e quajtur atë “të tepruar”.
Mediat shtetërore të Iranit renditën pesë kushte për përfundimin e luftës, të cilat përfshijnë pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, njohjen ndërkombëtare të “të drejtës sovrane të Iranit për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit” dhe një garanci se Irani nuk do të sulmohet përsëri.
Përgjigja e Teheranit do të vijë pasi Presidenti Amerikan Donald Trump shtyu sërish ultimatumin që i kishte vënë Iranit për hapjen e ngushticës së Hormuzit ose në të kundërt Shtetet e Bashkuara do të bombardonin objektet e tyre kryesore energjetike.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shkroi në Truth Social se do ta zgjasë këtë afat deri në 6 prill ndërsa përmes postimit të tij në rrjetet sociale pretendoi sërish se bisedimet po shkonin në rrugën e duhur.
Ndërkohe disa nga objektet bërthamore të Iranit janë shënjestruar nga sulmet ajrore. Kompleksi bërthamor i ujit të rëndë Khondab, pranë qytetit të Arak, u godit, ndërsa një uzinë kur përpunohet uraniumi në qytetin e Ardakan u bombardua gjithashtu, por asnjë material radioaktiv nuk u përhap për shkak të incidentit.


