Trump shkarkon këshilltarin për sigurinë kombëtare

schedule19:45 / 10/09/2019

Mosmarrëveshjet e thella për çështjet ndërkombëtare kanë bërë që Donald Trump të sakrifikojë këshilltarin e tij për sigurinë, Xhon Bolton. Nga mediat amerikane mësohet se presidenti nuk ka rënë dakord me sugjerimet e vartësit të tij për çështje si Irani dhe Korea e Veriut.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar nga detyra Xhon Bolton, këshilltarin e tij të tretë për sigurinë kombëtare. Sipas “NYT”, shkarkimi ka ardhur pas mosmarreveshjeve të thella mbi mënyrën e menaxhimit të çështjeve të politikës së jashtme si Irani, Korea e Veriut dhe Afganistani. Vetë Trump e njoftoi vendimin e tij përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Informova Xhon Bolton se shërbimi i tij nuk është më i nevojshëm në Shtëpinë e Bardhë.Unë nuk bie dakord me shumë nga sugjerimet e tij, ndaj dhe i kërkova dorëheqjen, të cilën ma dorëzoi këtë mëngjes”, deklaroi Trump.

Duke falenderuar Bolton për kontributin, presidenti amerikan shtoi se do ta emërojë zëvendësuesin e tij javën e ardhshme. Largimi i Bolton vjen në një kohë kur Trump është përfshirë në një seri sfidash diplomatike me dy nga armiqtë kryesorë të Shteteve të Bashkuara, Irani dhe Korea e Veriut.

Menaxhimi që ai u ka bërë këtyre çështjeve ka shqetësuar edhe zyrtarët e linjës së ashpër në radhët e administratës amerikane, përfshirë Bolton. Presidenti ka vazhduar përpjekjet për të joshur liderin koreano-verior Kim Jong Un, për ta bindur atë të heqë dorë nga programi bërthamor dhe testimi i raketave; ndërsa është shprehur i gatshëm të takohet edhe me presidentin iranian Hasan Ruhani, nëse krijohen rrethanat e duhura. /ABC News Albania 24/7

schedule19:45 / 10/09/2019