Trump: Së shpejti njoftimi për fushatën kundër ISIS

schedule09:15 - 8 Shkurt, 2019

schedule 09:15 - 8 Shkurt, 2019

Presidenti Donald Trump tha dje se parashikon që brenda pak ditësh të bëhet një njoftim zyrtar që konfirmon se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka rimarrë nën kontroll të gjithë territorin që mbante prej dy vjetësh grupi terrorist. Presidenti pohoi se mbetje të grupit terrorist mund të jenë ende aktive në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut, por shtoi se ato nuk janë në gjendje të mbledhin taksa apo të gjenerojnë burime financiare për të mbështetur aktivitetin luftarak.

Presidenti Trump foli dje para Koalicionit Global për të Mposhtur ISIS-in, një aleancë me 79 vende anëtare.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara, partnerët tanë në koalicion dhe Forcat Demokratike Siriane kanë çliruar në realitet të gjithë territorin që mbante më parë ISIS-i në Siri dhe Irak. Do të bëhet njoftimi zyrtar së shpejti, ndoshta nga java e ardhshme se ne kontrollojmë 100% të Kalifatit”.

Presidenti tha se ka ardhur koha për t’i kthyer ushtarët amerikanë në atdhe. Por ai u bëri thirrje aleatëve të ndjekin shembullin e Amerikës, duke mbrojtur kufijtë nga terroristët që përpiqen të futen.

“Duhet ta pranojmë se siguria në imigracion është siguri kombëtare dhe se nuk duhet t’u lëmë luftëtarëve të huaj mundësi të futen në vendet tona. Ne jemi treguar shumë të prerë”.

Duke këmbëngulur për tërheqjen nga Siria të kontigjentit amerikan me 2000 ushtarë, zoti Trump tha në një intervistë ditët e fundit se donte që trupat amerikane në Irak të mbanin nën vëzhgim Iranin.

Zyrtarët irakianë thonë se kushtetuta e vendit nuk e lejon që territori irakian të përdoret si bazë kërcënimesh ndaj fqinjve. Por ministri i jashtëm irakian i bëri dje thirrje koalicionit të ndihmojë për të luftuar celulat e fjetura të ISIS-it:

“U bëj thirrje të gjitha vendeve të botës të ndihmojnë Irakun që të luftojë celulat e fjetura në të gjithë vendin dhe të ndihmojnë Irakun të rikthejë stabilitetin dhe të rikthejë zonat e çliruara në gjendjen e mëparshme që terrorizmi të mos ekzistojë më”.

Presidenti Trump pohoi se mbetje të grupeve terroriste ende ekzistojnë në disa zona dhe mund të vazhdojnë të paraqesin rrezik. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të gatshëm të përballen me terroristët kudo që ndodhen./Zëri i Amerikës

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!