Trump ringjall shpresat për takimin me Kim

schedule19:38 - 25 Maj, 2018

schedule 19:38 - 25 Maj, 2018

Donald Trump ka deklaruar se takimi mes tij dhe Kim Jong-un është ende i mundur. Një ditë pasi njoftoi anulimin e tij, Trump e ka lënë të hapur mundësinë e tryezës me liderin korean, në vartësi të zhvillimeve të ditëve në vazhdim.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të premten se takimi mes tij dhe liderit koreano-verior mund të mbahet, edhe pse një ditë më parë ai njoftoi anulimin e tij.

“Të shohim ç’do të ndodhë. 12 Qershori mund të bëhet realitet. Ne jemi në kontakt me ta. Ata e dëshirojnë takimin dhe ne po ashtu”, ka thënë Trump për gazetarët.

Të enjten, kur njoftoi tërheqjen nga samiti i shumëpritur, presidenti fajësoi retorikën armiqësore të Koresë së Veriut për vendimin e tij. Momente më vonë, Peniani reagoi duke shprehur vullnetin për t’u takuar në çdo kohë dhe çdo mënyrë.

Samiti i 12 Qershorit në Singapor do të kishte qenë i pari mes një presidenti amerikan dhe një lideri koreano-verior. Detajet e tij vazhdojnë të jenë të rezervuara, por fokusi kryesor do të ishte çarmatimi bërthamor i gadishullit Korean dhe ulja e tensioneve.

Vetëm pak orë para njoftimit të Trump, regjimi i Penianit mbajti premtimin për çmontimin e tuneleve të impiantit të tij bërthamor. Sidoqoftë, të premten Trump ka ringjallur shpresat dhe ka mirëpritur deklaratën e regjimit.

“Të shohim ç’do të ndodhë, deklarata e tyre ishte shumë pozitive”, ka thënë Trump, duke shtuar se tek e fundit “të gjithë bëjnë lojra”.

Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes, James Mattis ka përshëndetur komentet e kreut të shtetit.

“Kemi disa lajme të mira për samitin korean, i cili, në vartësi të përpjekjeve diplomatike, mund të mbahet”, ka thënë Mattis./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!