Trump, reforma e taksave i jep pasanikut 29 miliardë dollarë

schedule09:33 - 25 Shkurt, 2018

schedule 09:33 - 25 Shkurt, 2018

Paralajmërimet e analistëve se reforma fiskale e Donald Trump do të pasuronte të pasurit ka gjetur konfirmimin e parë. Një nga pasanikët më të mëdhenj të Amerikës, Warren Buffett ka deklaruar se reforma i ka “dhuruar” atij rreth 30 miliardë dollarë.

Miliarderi amerikan Warren Buffett ka deklaruar se kompania e tij ka marrë një financim prej 29 miliardë dollarësh si rezultat i reformës së taksave të presidentit Donald Trump. Duke publikuar bilancin e konglomeratit të tij “Berkshire Hathaway” këtë të shtunë, Buffett ka bërë me dije se fitimet në nivel mujor dhe vjetor kishin arritur nivele rekord.

Reforma fiskale e republikanëve, e miratuar në dhjetor, reduktoi taksat për korporatat nga 35 në 21 për qind dhe vetë Buffett asokohe ishte shprehur kundër saj. Këtë të shtunë, në një letër dërguar investitorëve, pasaniku ka bërë me dije se kuota e shkurtimit përbënte thuajse gjysmën e fitimeve neto të kompanisë së tij gjatë vitti 2017.

“Një pjesë e mirë e fitimit tonë nuk erdhi nga ndonjë projekt. Vetëm 36 miliardë erdhën nga operacionet tona, 29 miliardë të tjerë na u dhanë në Dhjetor kur Kongresi rishkroi kodin e taksave”, thuhet në letrën e Buffett. Analistë të shumtë kishin paralajmëruar se përfituesit më të mëdhenj të paketës fiskale do të ishin korporatat shumëkombëshe./abcnews.al