Donald Trump i ka dhënë Iranit 48 orë kohë për të rihapur ngushticën e Hormuzit për transportin detar, përndryshe do të përballet me shkatërrimin e infrastrukturës së tij energjetike, ndërsa Teherani ka ndërmarrë sulmin më shkatërrues deri tani ndaj Izraelit.
Ultimatumi, i bërë vetëm një ditë pasi presidenti amerikan tha se po shqyrtonte “zvogëlimin” e operacioneve ushtarake pas tre javësh lufte, erdhi në një kohë kur kjo rrugë kyçe e naftës mbetej praktikisht e mbyllur dhe mijëra marinsa amerikanë të tjerë po drejtoheshin drejt Lindjes së Mesme.
Trump shkroi në Truth Social se SHBA do të “godasë dhe shkatërrojë” centralet energjetike iraniane, “duke filluar me më të madhin”, nëse Teherani nuk e rihap plotësisht ngushticën brenda 48 orësh, ose deri në orën 23:44 GMT të së hënës sipas kohës së postimit të tij. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Teherani kishte vendosur kufizime vetëm për anijet nga vendet e përfshira në sulme kundër Iranit dhe se do të ndihmonte të tjerët që qëndronin jashtë konfliktit.
Në përgjigje të kërcënimit të Trump, ushtria iraniane tha se do të synojë infrastrukturën energjetike dhe të desalinimit “që i përket SHBA-së dhe regjimit në rajon”, sipas agjencisë së lajmeve Fars.
Ultimatumi i Trump erdhi disa orë pasi dy raketa iraniane goditën Izraelin jugor, duke plagosur më shumë se 100 persona në sulmin më shkatërrues që nga fillimi i luftës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua për kundërpërgjigje “në të gjitha frontet”.
Sulmet, që depërtuan përmes sistemeve të mbrojtjes raketore të Izraelit, shkatërruan fasadat e ndërtesave të banimit dhe hapën kratera në tokë.
Ekipet e emergjencës thanë se 84 persona u plagosën në qytetin Arad, 10 prej tyre në gjendje të rëndë. Disa orë më herët, 33 persona u plagosën në Dimona, ku pamjet tregonin një gropë të madhe pranë grumbujve të rrënojave dhe metalit të shtrembëruar.
Dimona strehon një objekt që besohet gjerësisht të jetë vendi i arsenalit të vetëm bërthamor në Lindjen e Mesme, megjithëse Izraeli nuk ka pranuar kurrë zyrtarisht se posedon armë bërthamore.
Ushtria izraelite i tha Agence France-Presse se kishte pasur një “goditje të drejtpërdrejtë me raketë mbi një ndërtesë” në Dimona, me viktima të raportuara në disa vende, përfshirë një djalë 10-vjeçar në gjendje të rëndë nga plagët e shrapnelit. Netanyahu u zotua të vazhdojë goditjet ndaj Iranit. Disa orë më vonë, ushtria izraelite tha se kishte nisur një valë sulmesh ndaj Teheranit.
Irani tha se shënjestrimi i Dimonës ishte një kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite mbi objektin e tij bërthamor në Natanz, ndërsa Garda Revolucionare Islamike (IRGC) tha se forcat kishin synuar edhe qytete të tjera në jug të Izraelit, si dhe baza ushtarake në Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pas sulmit në Natanz, kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi, përsëriti thirrjen për “përmbajtje ushtarake për të shmangur çdo rrezik të një aksidenti bërthamor”.
Objekti në Natanz strehon centrifuga nëntokësore që përdoren për pasurimin e uraniumit për programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit; ai pësoi dëmtime gjatë luftës së qershorit 2025.
Ushtria izraelite mohoi përfshirjen në sulmin ndaj Natanzit, por tha se kishte goditur një objekt në një universitet në Teheran që pretendonte se përdorej për zhvillimin e komponentëve të armëve bërthamore për programin iranian të raketave balistike. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se ishin përballur me sulme ajrore pasi Irani i paralajmëroi të mos lejonin sulme nga territori i tyre në ishujt e diskutueshëm pranë ngushticës së Hormuzit.
Irani ka bllokuar këtë rrugë jetike detare, e cila në kohë paqeje transporton një të pestën e tregtisë globale të naftës së papërpunuar.
Kjo përplasje ka çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës, me naftën Brent të Detit të Veriut që tashmë tregtohet mbi 105 dollarë për fuçi, ndërsa pasojat afatgjata për ekonominë globale po bëhen një shqetësim i madh. Një deklaratë e përbashkët nga liderët e disa vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Gjermaninë, Korenë e Jugut, Australinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin – dënoi “mbylljen de facto të ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane”.
“Shprehim gatishmërinë për të kontribuar në përpjekje të përshtatshme për të siguruar kalim të sigurt përmes ngushticës,” thanë ata.
Trump ka kritikuar aleatët e NATO-s si “frikacakë” dhe u ka bërë thirrje të sigurojnë ngushticën.
Të dielën, Japonia tha se mund të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj ushtarake për pastrimin e minave në ngushticën e Hormuzit, nëse arrihet një armëpushim.
Ministri i Jashtëm, Toshimitsu Motegi, tha: “Nëse do të kishte një armëpushim të plotë, në mënyrë hipotetike, atëherë çështje si pastrimi i minave mund të shtroheshin.
“Kjo është thjesht hipotetike, por nëse do të vendosej një armëpushim dhe minat detare do të përbënin pengesë, atëherë mendoj se kjo do të ishte diçka për t’u marrë në konsideratë,” tha Motegi në televizionin japonez.
Veprimet ushtarake të Japonisë janë të kufizuara nga kushtetuta e saj pacifiste pas Luftës së Dytë Botërore, por legjislacioni i sigurisë i vitit 2015 lejon përdorimin e forcave të vetëmbrojtjes jashtë vendit nëse një sulm, përfshirë ndaj një partneri të afërt të sigurisë – kërcënon mbijetesën e Japonisë dhe nuk ka mjete të tjera për ta adresuar atë.
Japonia merr rreth 90% të importeve të saj të naftës përmes kësaj ngushtice, të cilën Teherani e ka mbyllur në masë të madhe gjatë luftës, tashmë në javën e saj të katërt.


