Eksperti i sigurisë Faik Basha ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me luftën në Ukraina dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se sinjalet nga Donald Trump kanë treguar se Uashingtoni nuk pritet ta lërë Kievin të vetëm përballë agresionit rus. I ftuar në emisionin “War Report”, Basha u shpreh se qëndrimet e deritanishme kanë krijuar një situatë të paqartë politike, e cila sipas tij mund të ketë kosto të larta për popullin ukrainas.
Sipas Bashës, roli i SHBA-ve ka qenë vendimtar edhe për sigurinë personale të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke pretenduar se ndaj tij janë regjistruar disa tentativa për atentat gjatë luftës. Ai shtoi se pa mbështetjen amerikane, situata e Zelenskyt mund të kishte qenë shumë më e rrezikshme.
“Ka pasur sinjale të herëpashershme që Trump nuk do e lërë Ukrainën vetëm. Të gjitha këto qëndrime kanë bërë që të jetë e dyjëzuar dhe që do i kushtojnë shumë shtrenjtë dhe popullit të Ukrainës. Po të mos ishin SHBA-të, Zelensky mund të kishte qenë si Khamanei, ka pasur 4 atentate.
Falë SHBA Zelensky është sot mes nesh. Kishte një treg që mund ta zhvillonte, një kompani që mund ta mbante gjallë dhe një Amerikë që do e kishte nga mbrapa. Është një test që po u bëhet të gjitha vendeve nga SHBA. Reagimi i Zelenskyt mendoj që është e nxitur nga SHBA dhe do të vuajë pasojat”, tha eksperti Basha.


