Trump njofton ndryshimin e kushtetutës: Jo më nënshtetësi kujt lind në SHBA

schedule08:40 - 31 Tetor, 2018

schedule 08:40 - 31 Tetor, 2018

I trembur nga një humbje eventuale në zgjedhjet për Kongresin, presidenti Donald Trump ka zgjedhur të fitojë pikë me politikat kundër emigracionit. Të martën ai ka paralajmëruar se do të anulojë të drejtën që u garantonte nënshtetësi fëmijëve të lindur në Amerikë nga prindër të huaj.

Donald Trump ka prekur sërish temën e emigracionit, duke njoftuar se do të firmosë një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund së drejtës kushtetuese për nënshtetësi amerikane për fëmijët e të huajve të lindur në Shtetet e Bashkuara. “Jemi i vetmi vend në botë ku një person vjen, lind një fëmijë, fëmija bëhet shtetas amerikan dhe për 85 vjet gëzon të gjitha përfitimet”, ka deklaruar Trump. Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara i garanton të drejtën në fjalë kujtdo që lind në territorin amerikan. “Gjithmonë më kanë thënë se duhet një amendament kushtetues. Por mendohuni pak, ai nuk duhet fare”, ka thënë Trump. Presidenti ka sqaruar se është konsultuar me avokatin e Shtëpisë së Bardhë për të zgjedhur një lëvizje të tillë.

Sidoqoftë, shumë ekspertë nuk besojnë se ai do ta ketë të lehtë ta anulojë vetëm përmes kompetencave të tij. “Natyrisht kjo mund të bëhet me një votim në Kongres, por më kanë thënë se mund ta bëj edhe me një urdhër ekzekutiv”, ka vijuar Trump. Miliarderi i kthyer president e ka quajtur amendamentin e 14-të një amendament qesharak, ndaj sipas tij duhet të marrë fund. “Plani ynë është në zhvillim dhe së shpejti do të bëhet realitet”, ka shtuar Trump. Edhe gjatë fushatës elektorale, Trump kishte lobuar kundër së drejtës në fjalë, ndërkohë që vende të tjera, mes të cilave Kanadaja, e kanë politikën e nënshtetësisë të lidhur me lindjen./abcnews.al