Trump mbron të zgjedhurën e tij për CIA-n

schedule21:08 - 7 Maj, 2018

schedule 21:08 - 7 Maj, 2018

Donald Trump i ka dalë në mbrojtje Gina Haspel, gruas që ai ka zgjedhur për drejtimin e shërbimeve të inteligjencës. Presidenti i ka cilësuar absurde akuzat e demokratëve se Haspel nuk është personi i duhur për këtë post pasi ka qenë e ashpër me terroristët.

Presidenti Donald Trump ka mbrojtur të zgjedhurën e tij për drejtimin e CIA-s, pas ofertës së saj për t’u tërhequr për shkak të zërave mbi rolin që ka patur në përdorimin e torturave. Në reagimin e tij, Trump ka deklaruar se, Gina Haspel është sulmuar vetëm sepse është treguar e ashpër me terroristët. Në Twitter, presidenti e ka inkurajuar atë që të vazhdojë luftën e saj dhe ta fitojë atë.

“E emëruara ime për drejtimin e CIA-s, Gina Haspel, është sulmuar për shkak se është treguar e ashpër me terroristët. Mendoni pak, në këto kohë të vështira kemi personin më të kualifikuar. Një grua, që demokratët e duan jashtë sepse është shumë e ashpër ndaj terrorizmit. Tregoju vendin, Gina!”, ka thënë Trump në profilin e tij.

Tashmë zonjës Haspel i duhet të zgjedhë nëse do të tërhiqet apo jo. Nëse zgjedh ta pranojë propozimin e Trump, sërish ajo do ta ketë të vështirë konfirmimin në Senat, për shkak të ndarjes së ngushtë 51 me 49 mes republikanëve dhe demokratëve. Haspel ka punuar në CIA për 33 vjet, kryesisht në misione të fshehta, por së fundmi ka mbajtur postin e nëndrejtores.

Koha e saj në radhët e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës përkon me periudhën e përdorimit të torturave për të marrë në pyetje të dyshuarit për terrorizëm. Haspel thuhet se ka menaxhuar atë që njihet si “zona e zezë”, një burg sekret në Tajlandë ku kryheshin tortura të tilla.//abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!