Trump kërcënon Turqinë

schedule10:55 - 27 Korrik, 2018

schedule 10:55 - 27 Korrik, 2018

Dënimi i pastorit amerikan në Turqi për lidhje me grushtin e shtetit të vitit 2016 ka përshkallëzuar tensionet ekzistuese mes Uashingtonit dhe Ankarasë. Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të ashpra nëse shtetasi amerikan nuk lirohet.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar Turqinë me sanksione të ashpra nëse nuk liron pastorin Andrew Brunson, i dënuar për lidhje me grushtin e shtetit të vitit 2016.

“Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione përsa kohë Brunson, një besimtar i mirë dhe një familjar i mrekullueshëm, do të qëndrojë në burg”, ka thënë Trump në profilin e tij në Twitter.

Deklarata ka shkaktuar reagimin e ashpër të Ankarasë dhe ka përshkallëzuar edhe më tej tensionet mes dy vendeve, aleate në NATO. Një zëdhënës i presidentit Recep Tayip Erdogan ka deklaruar se kërcënimi i Uashingtonit është i papranueshëm dhe dëmton aleancën amerikano-turke.

“Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qasjen e tyre dhe të dalin me një qëndrim konstruktiv përpara se të dëmtojnë aleancën dhe interesat e tyre në Turqi”, ka deklaruar zëdhënësi Ibrahim Kalin.

Ndërsa ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë qeverisë turke, të cilat megjithatë nuk kanë qenë në gjendje të japin detaje mbi dialogun e zhvilluar.

Por për administratën amerikane, dënimi i pastorit me 21 muaj burg dhe më pas me arrest shtëpie është i papranueshëm. Në vijim të postimit të tij, presidenti Trump ka theksuar se, “ky njeri i pafajshëm po vuan shumë, ndaj duhet të lirohet menjëherë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!