Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Irani është mposhtur plotësisht dhe po kërkon një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.
Në një postim në rrjetet e tij sociale, Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se ai nuk do të binte dakord për marrëveshjen që kërkon regjimi i Teheranit.
“Mediat e lajmeve të rreme e urrejnë të raportojnë se sa mirë ka vepruar Ushtria e SHBA kundër Iranit, i cili është plotësisht i mundur dhe dëshiron një marrëveshje, por jo një marrëveshje që unë do ta pranoja”, tha Trump.
Ndërkohë para se të nisej për në Florida, ku zakonisht kalon fundjavën, Trump nuk dha një afat se sa do të zgjasë lufta, por theksoi se Shtetet e Bashkuara janë shumë para afatit.
Kreu I Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se marina amerikane së shpejti do të shoqërojë cisterna përmes Ngushticës së Hormuzit, teksa tregu global I naftës përballet me çmime të larta.
Megjithatë Trump theksoi se sapo të mbarojë konflikti, çmimet do të bien.
“Mendoj se çmimet e naftës do të bien sapo kjo të mbarojë. Do të shihni një rënie shumë të madhe të çmimit të benzinës, gazit, çdo gjëje që ka të bëjë me energjinë, sapo kjo të mbarojë. Por ne duhej t’i jepnim fund kërcënimit bërthamor në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën”, shtoi më tej presidenti i SHBA.
Deklaratat e Trump erdhën teksa Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, duke ulur ndjeshëm furnizimet me energji dhe duke kërcënuar të destabilizojë ekonomitë në të gjithë botën.


