DAVOS- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos se SHBA mban barrën kryesore financiare të NATO-s dhe për këtë arsye po kërkon kontroll të plotë mbi Groenlandën, përfshirë titullin dhe pronësinë e saj.
Ai theksoi se SHBA nuk mund ta mbrojë Groenlandën “me qira”, duke argumentuar se territori ka rëndësi kyçe strategjike në rast të një konflikti global.
Trump njoftoi gjithashtu plane për ndërtimin e një sistemi të avancuar mbrojtës në Groenlandë, sistem ky që siç tha ai do t’i shërbejë edhe mbrojtjes së Kanadasë.
“Ne japim kaq shumë për NATO, dhe marrim kaq pak. Vetëm paguajmë për NATO. Paguam 100% për NATO, sepse nuk paguanin faturat e tyre. Ne tani kërkojmë Groenlandën me titullin dhe pronësinë, sepse nuk e mbrojmë dot me qira. Nëse një luftë ndodh, pjesa më e madhe e raketave do të fluturojnë në atë pjesë. Do ndërtojmë një kupolë të artë në Groenlandë, që të mbrojmë edhe Kanadanë”, tha Trump.
Më tej, shefi i shtëpisë së Bardhë u shpreh se nuk preferon të përdorte forcën për marrjen e Groenlandës.
“Kam respektin më të madh për Danimarkën dhe Groenlandën. Ndoshta nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe pushtet të tepërt, në të cilin rast do të ishim, sinqerisht, të pandalshëm, por nuk do ta bëj këtë.
Kjo është ndoshta deklarata më e rëndësishme, sepse njerëzit menduan se do të përdorja forcë. Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë. E tëra çfarë kërkojnë Shtetet e Bashkuara është një vend i quajtur Groenlandë”, tha Trump.
Më tej, Trump u tregua i qartë me NATO, duke thënë: “Tani unë po kërkoj një copë akulli, për paqe në botë. Dhe iu them që do jemi aty për NATO-n 100%, por nuk e di nëse ata do jenë aty për ne. Me gjithë ato para që kemi shpenzuar për aleancën dhe nuk e di ende nëse ata do të na mbështesin ne”, u shpreh Trump.


