Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë mundësinë e një inkriminimi të tij lidhur me ndërhyrjen ruse. Trump ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë krim dhe ka provokuar kur ka thënë se rusët ndihmuan rivalen e tij Hillary Clinton që të fitonte zgjedhjet.
Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë të enjten zërat mes demokratëve për një inkriminim të mundshëm të tij në përfundim të hetimit mbi ndërhyrjen ruse, duke deklaruar se nuk ka bërë asgjë që të meritojë diçka të tillë.
Duke folur për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë në prag të një udhëtimi në Kolorado, Trump reagoi ndaj deklaratës së hetuesit të posaçëm Robert Mueller, të bërë ditën e mërkurë. Mueller tha se raporti i tij mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 nuk e pastron dhe as e akuzon Trump për pengim të drejtësisë.
Duke reaguar ndaj kësaj deklarate, kryetarja e demokratëve Nancy Pelosi tha se, asgjë nuk është përjashtuar, duke iu referuar këtu inkriminimit të mundshëm të Trump. Por vetë kreu i shtetit u shfaq i pashqetësuar ditën e enjte.
“Nuk shoh mënyrë se si mund ta bëjnë një gjë të tillë. Sidoqoftë, inkriminimi është një fjalë e pistë dhe e neveritshme, si dhe një ngacmim madhor që i bëhet presidentit”, deklaroi Trump.
Ai citoi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara se një president mund të inkriminohet vetëm nëse ka kryer krime të rënda dhe keqbërje.
“Unë s’kam bërë as krim dhe as keqbërje”, tha Trump.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë vijoi më tej duke thënë se Rusia nuk e ka ndihmuar të zgjidhet në krye të shtetit.
“A e dini kush më zgjodhi? Vet u zgjodha”, u tha Trump gazetarëve.
Ai shtoi se nëse ka bërë diçka, Rusia ka ndihmuar palën tjetër që të fitonte zgjedhjet, duke iu referuar kandidates rivale Hillary Clinton. Presidenti amerikan kritikoi dhe Mueller, duke e cilësuar atë si armikun e tij dhe një njeri konfliktual, që është mik i ish-drejtorit të FBI-së James Comey, të cilin e shkarkoi pasi mori zyrtarisht detyrën./ABC News Albania 24/7