Trump: Gati të përballem me Mueller, nëse bën loje të ndershme

schedule19:51 - 4 Maj, 2018

schedule 19:51 - 4 Maj, 2018

Presidenti Donald Trump është shprehur i gatshëm të merret në pyetje nga prokurori i çështjes “Russiagate”, por me kushtin që ai të garantojë një proces hetimor të ndershëm e jo të bëjë një gjueti shtrigash.

Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur të premten me një qëndrim ndryshe sa i takon mundësisë së marrjes së tij në pyetje nga hetuesi i posaçëm i çështjes “Russiagate”, Robert Mueller. Në një komunikim me mediat, Trump ka deklaruar se është i gatshëm të përgjigjet nëse marrja në pyetje do të jetë e ndershme, edhe pse avokatët e tij i kanë këshilluar të mos flasë. “Do të më pëlqente shumë të flisja. Askush nuk dëshiron të flasë më shumë se unë, sepse unë nuk kam bërë asgjë të gabuar. Por më duhet të gjej një rrugë që të merrem në pyetje në mënyrë të ndershme”, ka thënë Trump. Gjithashtu, në komunikimin e tij Trump ka mbrojtur Rudi Xhulianin, të cilin e punësoi së fundmi për ta përfaqësuar në këtë çështje. Një ditë më parë, Xhuliani tha se çdo marrje në pyetje e presidentit Trump duhet të përmbajë vija të kuqe. “Ai e mori këtë detyrë një ditë më parë. Ai do të paraqesë faktet e duhura. Është një njeri i jashtëzakonshëm”, ka thënë Trump për ish-kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut. Kreu i shtetit përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se nuk ka patur asnjë mpleksje të stafit të tij elektoral me Rusinë, duke e etiketuar për të disatën herë hetimin e Mueller një “gjueti shtrigash”. /abcnews.al