Trukimi i ndeshjes në Kosovë: Katër të akuzuar, zbulohet skema perfekte e mashtrimit

schedule20:14 - 19 Dhjetor, 2019

schedule 20:14 - 19 Dhjetor, 2019

Një ndeshje e kampionatit kosovar të futbollit ka përfunduar në shënjestrën e Prokurorisë. 25 shkurtin e këtij viti ishte programuar të luhej KF Trepça-Fushë Kosova, duel për llogari të javës së 17-të të divizionit të dytë të futbollit dardan.

Prokuroria e Mitrovicës ka nisur në mars një hetim në lidhje me këtë përballje, duke ngritur dyshime dhe akuza për trukim ndeshje. Ky është rasti i parë që ndodh diçka e tillë në futbollin dardan.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Kallxo.com, Fidaim Haxhiu (trajneri i Trepçës), Besim Haxhiu (nënkryetar i klubit), Kemal Dumnica (delegat në Federatën e Kosovës) dhe Fisnik Haxhiu (agjent doganor që ushtron funksionet e Sekretarit në klubin nga Mitrovica), akuzohen për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës me qëllim përfitim personal.

Fidaim Haxhiu kishte porositur lojtarët e tij përpara fillimit të ndeshjes së pjesa e parë duhet të fitohej nga miqtë, ndërsa në 45 minutat e dyta do të përmbysej rezultati. U tha, u bë. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Fushë Kosovën dhe ndeshja përfundoi 2-1 për vendasit.

Prokuroria e qytetit verior shqiptar të Kosovës kishte dyshuar dhe nuhatur diçka, teksa mendohet se rezultati është fiksuar në favor të një basti që kishte vënë vëllai i trajnerit në Belgjikë, i njohur si Bejadin Haxhiu. Ky i fundit kishte vendosur 40 skedina bastesh me kombinime të ndryshme, në një shumë totale prej 2 mijë euro dhe fitim të mundshëm prej 10,167.00 euro.

Jo vetëm kaq. Aktakuza thotë se në këtë ndeshje ishte futur në lojë futbollisti V.A, i cili nuk figuronte në protokoll si zëvendësues, teksa dy lojtarë të tjerë, të njohur me inicialet R.K dhe D.A, kanë luajtur me të njëjtin numër mbi shpinë. Diçka e tillë bëhej me qëllimin që ekipi mik të ankohej dhe ta fitonte ndeshjen për gabim teknik.

Kështu ndodhi, Fushë Kosova përfitoi nga “gafa” e vendasve dhe arriti të fitonte ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3. Aktakuza e Prokurorisë tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Mitrovicës, aty ku pritet të merret vendimi për të akuzuarit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!