Troisi: Thonë që Flamurtari ka rënë, por ne nuk dorëzohemi deri në fund

schedule16:12 - 21 Shkurt, 2020

schedule 16:12 - 21 Shkurt, 2020

Flamurtari nuk heq dorë, edhe pse trajneri Marcelo Troisi e pranon se kanë një mision të vështirë për të shpëtuar rënien e kuqezinjve nga Superiorja. Braziliani ka dalë sot para mediave dhe foli për fitoren e arritur me Luftëtarin dhe për ndeshjen e radhës në shtëpi me Laçin.

“Kundër Luftëtarit ka qenë një ndeshje ndryshe nga të tjerat, sepse munda të përdor lojtarët e afruar në merkato. Kemi një grup të limituar dhe të ri, do doja që përforcimet ta bëjnë Flamurtarin një ekip më të fortë”, u shpreh Troisi, i cili më pas u pyet për sfidën me kurbinasit, që në të shkuarën ai i ka drejtuar si trajner.

“Duhet ta respektojmë Laçin. Është një ekip shumë i fortë, që edhe këtë vit mori pjesë në Europa League. Ka një grup lojtarësh të mirë, por duhet të respektojmë edhe veten tonë. Jemi koshientë që kemi pasur shumë vështirësi gjatë këtyre javëve. Janë 2-3 lojtarë që janë në rikuperim e sipër për shkak të dëmtimeve. Edhe njëherë duhet të luaj me një ekip të formuar, por jam i sigurt që do të luftojmë deri në fund për një rezultat pozitiv”, shtoi braziliani.

Flamurtari edhe këtë javë do të ketë mungesa të rëndësishme: ” “Kemi Pjeshkën që nuk luan dot, po ashtu edhe sulmuesi Welder që ka një tërheqje muskulore. Kemi edhe Lukas Ramos, i cili ka probleme me stomakun prej virozës. Kam shpresa që mund të luajë nesër”. Troisi në vazhdim thekson se Flamurtarit duhet të vazhdojë të luftojë.

“Që kur kam ardhur në fillim, nuk e kam ndryshuar mentalitetin tim. Do luftojmë shumë, edhe pse shumë njerëz thonë që Flamurtari ka rënë. Përderisa kemi opsione dhe mundësi që të luftojmë, do e bëjmë diçka të tillë që të grumbullojmë sa më shumë pikë që ët jetë e mundur. Të gjithë e dinë sfidën që na pret”.

Në fund, i pyetur për të ardhmen e tij në krye të Flamurtarit, Troisi thotë: “Kam ardhur te Flamurtari që të bëj një punë të mirë. Është shumë shpejt të mendojmë për të ardhmen, për vitin tjetër. Kemi shumë punë për të bërë për këtë vit. Janë edhe 15 ndeshje. E dimë që është shumë e vështirë, por matematika na lejon. Do të luftojmë deri në fund”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!