Pavarësisht shumë problemeve, Flamurtari luajti fort dhe ia vështirësoi fitoren Partizanit. Trajneri i kuqezinjve, Marcelo Troisi shpjegon veprimet e tij në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, teksa ndalet edhe te penalltia që zhbllokoi ndeshjen.
SITUATA – “Ishte e vështirë, sepse gjatë javës punuam me një formacion. Një ditë përpara ndeshjes m’u desh të improvizoja formacionin, sepse nuk mund të përdorja disa lojtarë. Urime djemve, janë të rinj, luajtëm ndaj një ekipi të madh dhe luftuam deri në fund.
TË RINJTË – “Më duhet të improvizoja te disa lojtarë që nuk luajnë në ato pozicione. Përdorëm lojtarë nga të rinjtë, u mundova të bëj diçka ndryshe pavarësisht vështirësive. Jemi në kërkim të zbulimit të ndonjë talenti të ri nga ekipet e moshave”.
PENALLTIA – “Imazhet janë të qarta, nuk jam këtu për të folur keq për arbitrat, nuk është në stilin tim. Më duket e çuditshme për atë që pashë. Janë tre ekipe që nuk po u shkojnë punët mirë për shkak të gabimeve të arbitrave. Të gjithë gabojnë, por duhet ta pranojmë që arbitrat po gabojnë shumë. Më duhet të motivoj çunat, kemi ndeshjen e Kupës të mërkurën”.
OBJEKTIVI – “Flamurtari është një ekip me emër të madh. Çdo trajner do të ishte i nderuar të punonte me këtë ekip, pavarësisht situatës. E di që sot Flamurtari ndodhet keq në renditje, e dija kur erdha. Presidenti më garantoi qëndrim afatgjatë në ekip. Mund të bëjmë shumë mirë në të ardhmen bashkë”. /abcnews.al