Manchester City fitoi trofeun e parë sezonal ditën e djeshme. Goli i Aymeric Laporte i dhuroi fitoren 1-0 ndaj Tottenham dhe trofeun e EFL Cup për herë të tetë në histori dhe herën e katërt radhazi, duke i bërë “Cityzens” rekordmenët e këtij kompeticioni.
Trajneri i skuadrësn angleze, Pep Guardiola nuk e fsheh gëzimin e tij për suksesin e arritur në prononcimin e dhënë për Sky Sports, teksa konfirmon largimin e mbrojtësit Eric Garcia drejt Barcelonës. “Stadiumi nuk ishte plot, por tifozët ia dolën të krijojnë zhurmën e duhur.
Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi fituar këtë kompeticion për herë të katërt radhazi. Tentuam gjatë gjithë kohës të fitonim ndeshjen, krijuam shumë raste për gol. Ata patën rastet e tyre në kundërsulm, por në përgjithësi luajtëm shumë mirë.
Trofeu i 30-të si trajner? Bukur, kam drejtuar klube të mëdha, kështu që nuk e kam pasur shumë të vështirë. Garcia? Eric është një ndër lojtarët e mi të preferuar, por nuk e grumbullova pasi mendoj se do të firmosë me Barcelonën“, deklaroi trajneri spanjoll. /abcnews.al