Armando Hasanpapaj është një emër i njohur në Francë, pasi është cilësuar si një ndër kuzhinierët më të mirë atje. Në një lidhje me Skype nga Franca me “Abc-në e mëngjesit”, Armando foli rreth pasionit për kuzhinën dhe për eksperiencën në programin e gatimit “Top Shef”.
Ai tregoi se para se të bëhej një kuzhinier profesionist, e ka kaluar fëmijërinë e tij si një valltar. Por, emigrimi drejt Francës ndryshoi gjithçka duke e kaluar atë nga arti skenik në atë të kuzhinës.
“Pasioni për kuzhinën ka nisur në Francë se në Shqipëri kam qenë valltar dhe ndiqja shkollën. Mamaja ime ka patur në pastiçeri në Tiranë dhe jemi rritur me gatime të mira. Kur erdhëm në Francë duke qenë valltar që pëlqen gjërat artistike mendova se kuzhina mund të transmetojë të njëjtin emocion si me vallen tek spektatorët. Ia nisa me konkurse se isha shumë i apasionuar.”, tha Armando.
Ai thotë se pavarësisht peripecive që ka kaluar, ai ia ka dalë mbanë falë mundit dhe punës së palodhur që ka bërë. Duke folur për pjesëmarrjen në Top Shef, ai tregoi dhe një detaj interesat teksa tha se një ndër gatimet e para që ka realizuar në “Top Shef” ka qenë një pjatë e kombinuar me byrekun tonë tradicional.
“Kam vënë re në fund se ajo që dëshironin të merrnin me vete ishte byreku. Nuk ishte mishi i patës apo gjëra shumë të shtrenjta, por ishte byreku. Kam patur shumë përgjigje pozitive dhe mesazhe për byrekun.“, tha ndër të tjera Armando. /abcnews.al


