Bayern Munchen e rinisi me fitore kampionatin gjerman. Rekordmenët e Bundesligës triumfuan 0-2 në fushën e Union Berlin. Lewandowski dhe Pavard shënuan golat për djemtë e Hans-Dieter Flick, të cilët kryesojnë me katër pikë më shumë se Dortmundi ndjekës.
Trajneri e dinte që do të ishte e vështirë dhe është shumë i kënaqur me përgjigjen që mori nga skuadra. Flick vlerëson lojtarët në një prononcim për sajtin zyrtar të klubit dhe i gëzohet rikthimit në Bavari me tre pikë.
“E merituam fitoren ndaj Union Berlin. Ishte një ndeshje e komplikuar dhe më duhet të komplimentoj skuadrën për mënyrën sesi luajti gjatë 90 minutave. Nuk ishte aspak e thjeshtë pas një pushimi kaq të gjatë, kështu që jam shumë i kënaqur me rezultatin“, deklaroi trajneri bavarez. /abcnews.al