Një ditë pasi gjykata la në burg 23-vjeçarin Vilson Brahja, i cili akuzohet për vendosjen e tritolit në banesën e Gazmir Dacit, në Kamëz, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Sajmir Kolaveri. Ndonëse Brahja nuk tregoi porositësin, policia ka dyshime se 36-vjeçari ka urdhëruar vendosjen e tritolit më 27 korrik në Bathore në banesën e Xhelal Dacit.
Pas vendosjes së tritolit në banesën e Gazmir Dacit në Bathore, policia ka shpallur në kërkim Sajmir Kolaverin, i cili dyshohet se është porositësi i atentatit. Prej së martës, 36-vjeçari është shpallur në kërkim policor, ndërsa emri i tij ka dalë nga përgjimet e kryera nga Forcat Operacionale në Policinë e Shtetit.
Si provë uniformat blu kanë një telefonatë, ku Saimir Kolaveri kishte biseduar me një person tjetër, duke i kërkuar që ta ndihmonte për të kryer një shpërthim.
Të dy këto numra nuk kanë qenë funksional pasi shpërthimi kishte ndodhur në banesën e Xhelal Dacit. Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe një tjetër i ri, emri të cilit nuk është bërë ende i ditur.
Pas atentatit në Bathore, Policia arrestoi 23-vjeçarin Vilson Brahja, i cili dyshohet se është autori i vendosjes së eksplozivit. Prokuroria tha se e identifikoi autorin Brahja nga pamjet filmike. Vetë Brahja deklaroi në gjykatë se e mori përsipër aktin për 5 mijë euro.
Brahja u shfaq i penduar përpara trupës gjykuese, dhe tha se porositësi sipas tij, ka qenë një i ri rreth moshës, 25 vjeç, i cili i ka thënë të vendoste tritolin te banesa e Dacit, pasi i ka thënë se ishte shtëpia e tij, dhe e donte për të përfituar azil në vendet e BE.
Tritoli në banesën e Dacit dyshohet se është vendosur për shkak të hakmarrjes mes dy fiseve për vrasjen e Valmir Kolaverit nga Gazmir Daci. Ndërkohë Daci po vuan dënimin prej 35 vitesh për vrasjen e Valmir Kolaverit në 4 Nëntor të 2015-s dhe plagosjen e vëllait të tij./abcnews.al