Një shpërthim me tritol ka ndodhur në katin e nëntë të një pallati në Tiranë.
Pistat kryesore ku po hetohet është ajo e vendosjes së tritolit nga brenda pallatit ose nëpërmjet një droni. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia e inskenimit sepse sasia e tritolit e përdorur ishte shumë e vogël.
Gazetarja Bleona Sari tha për ABC News se nga hetimet e grupit hetimor është mësuar se Elena Arza e cila kishte marrë banesën me qera ku edhe ndodhi shpërthimi, është bashkëjetuesja e Bernard Sinomatit.
Ky i fundit ndërkohë rezulton me precedent penal. Mësohet se Bernardi gjithashtu është vëllai i vogël i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait” dhe xhaxhi i Gëzim Sinomatit. Gëzim Sinomati u ekzekutua me snajper në Vlorë, ngjarje e ndodhur në janar të 2024.
Burime thanë për ABC News se dyshohet që Sinomati dhe bashkëjetuesja e tij, Elena Arza kanë qenë në banesë dhe janë larguar pas shpërthimit.
Po ashtu grupi hetimor tha për “Abc News” se përveç pistës që tritoli mund të jetë hedhur me dron, ka mundësi edhe që të ketë qenë në banesë dhe ka shpërthyer aksidentalisht.
Por kush është Bernad Sinomati?
Bernard Sinomati është emër i njohur për drejtësinë brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2015 është arrestuar nga policia Vlorë për armëmbajtje pa leje.
Disa vite më parë i është shpërthyer një automjet me eksploziv. Pronari Bernard Sinomati jetonte jashtë vendit. Tritoli në makinë në atë kohë ishte i vendosur në krahun e shoferit, dhe dukej si një mesazh i qartë për vlonjatin që ishte larguar nga vendlindja dhe jetonte jashtë. Ngjarja ndodhi në 3 janar të 2022. Bernard Sinomati, më herët ka qenë i dënuar në Belgjikë.
/abcnews.al/