Tregtarët e makinave drejt falimentimit, Balluku: Do gjejmë zgjidhje

schedule13:32 - 12 Shkurt, 2019

schedule 13:32 - 12 Shkurt, 2019

Tregtarët e automjetetve të përdorura kanë kërkuar rishikim të vendimit të qeverisë për importimin e automjeteve mbi 10 vjet përdorim. Në dëgjesën publike që zhvilloi me ta, Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka premtuar gjetjen e një zgjidhjeje që jo vetëm mos dëmtohet biznesi i tregtarëve por edhe të mbrohet mjedisi.

Me këtë ftesë u ul përballë  tregtarëve të makinave të përdorura Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka dëmtuar biznesin e tyre i thanë tregëtarët duke filluar që tek ndalimi i autoveturave që janë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Arsyeja e ndalimit të makinave mbi 10 vjet prodhim është vendosur për të mbrojtur shëndetin e njerëzve. Por kjo nuk qëndron sipas importuesëve të automjeteve të përdorura, pasi problem kryesor është karburanti që tregëtohet në Shqipëri.

Sa i përket detyrimit për të targuar automjetet që sjellin nga jashtë, kjo i duket e paarsyeshme tregëtarëve pasi nuk mund t’i vendosin targa një makine që nuk qarkullon.

Ashtu siç premtoi në fillim të fjalës së saj ministrja Balluku i dëgjoi dhe i mbajti shënim ankesat e importuesëve të automjeteve dhe u premtoi se një zgjidhje të mesme do t’ua japin shumë shpejt.

Në tetor të vitit të kaluar këshilli i ministrave vendosi të mos lejojë  nga 1 janari i vitit 2019 importimi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!